Ministria e Energjisë dhe Industrisë padit 3 ish-ministra të qeverisë Berisha në lidhje me privatizimin e OSSH-së. Mësohet se MEI ka paditur Ridvan Boden, Genc Rulin dhe Florjon Mimën si dhe dy zv/ministrat Enno Bozdo e Neritan Alibali. Po kështu MEI ka paditur edhe 2 ish-zyrtaret Suzana Guxholli dhe Mimoza Vokshi.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë përfundoi auditimin e procesit të privatizimit të OSSH sh.a dhe zbatimin e Kontratës së Shitjes së Aksioneve të shoqërisë.
Mbi bazën e një analize të detajuar të dokumentacionit të administruar pranë MEI, por edhe të dokumentacionit të vënë në dispozicion nga institucionet e tjera si Kryeministria, MZHETTS, MF, ERE, OSHEE dhe KESH, konstatohet se privatizimi i OSSH, është një nga proceset më abuzive të kryera nga Qeveria e asaj kohe, i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi dhe me praktikat më të mira të privatizimit në sektorët strategjikë, me elementë të pastër favorizues dhe të shkeljes së barazisë në tendera. Fakte që dëshmojnë qartë për një proces tejet fiktiv, me një fitues të paracaktuar, ende pa nisur mirë procesi i privatizimit dhe parashikueshëm që në fillim si një privatizim i dështuar.
Sipas MEI-t, rezulton se këto veprime të paligjshme i kanë garantuar shoqërisë fituese të tenderit CEZ a.s. përfitime materiale të padrejta, duke dëmtuar rëndë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të tyre, interesat e ligjshme të shtetit, të personave të tjerë juridikë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve shqiptarë.
Në konkluzion të auditit konstatohet se veprimet ose mosveprimet e personave përgjegjës, të analizuara në mënyrë të detajuar në raport, kanë shkaktuar një dëm financiar që arrin në shumën 57,931,041,292 lek ose rreth 414 milionë euro.
Nga veprimet e mosveprimet e kundraligjshme të personave të lartpërmendur dhe personave te tjerë, kanë ardhur pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe janë krijuar përfitime të padrejta materiale për subjekte private.





