Policia e Durrësit ka përcaktuar si pistë kryesore të hetimeve atë të prishjes së pazarev të drogës lidhur me atentatin e së dielës, ku u vranë Ervin Kodra 33 vjeç dhe Endri Caushaj, 25 vjeç nga Vlora.

Policia dhe Prokuroria që janë angazhuar në zbardhjen e ngjarjes, dyshojnë se kanë të bëjnë me një atentat të mirëorganizuar nga persona profesionistë. “Panorama” shkruan se lëvizjet e atentatorëve nuk janë regjistruar nga kamerat e zonës, nga ku së paku regjistrohen 6 kamera sigurie të instaluara nga bizneset dhe institucionet aty pranë.

Atentatorët kanë studiuar mirë çdo lëvizje të dy të rinjve, teksa viktimat para se të ekzekutoheshin ishin në një lokal pranë vendit të krimit. Ata kishin dijeni se dy viktimat ishin në lokal në shoqërinë e një personi të tretë dhe mjeshtërisht i kanë shmangur kamerat e sigurisë për të mos u filmuar prej tyre.

Veç pazareve të drogës, hetohet edhe pista e hakmarrjes, pasi viktima Ervin Kodra rezulton të jetë përfshirë në një atentat në vitin 2008, ku mbeti i vrarë Saimir Balla dhe ka plagosur një tjetër person pak kohë më vonë në Durrës.