Në ceremoninë me rastin e 95-vjetorit të krijimit të Bibliotekës Kombëtare, Kryeministri Edi Rama, premtoi se qeveria do të zhvillojë “një projekt të ri për të transformuar hapësirat” e saj.

“E përgëzoj drejtoreshën e BK-së për vizionin e saj të zhvillimit dhe zgjerimit. Ndryshimet e këtyre viteve çuan dhe në ndryshime të BK-së, por më i ndjeshmi fatkeqësisht ishte këputja e trupit të saj në dysh. Një pjesë si bibliotekë dhe një pjesë për aktivitete komerciale pa lidhje me bibliotekën”, e nisi fjalën e tij Rama.

Kreu i qeverisë tha se “do të zhvillojmë një projekt të ri për të transformuar hapësirat e Bibliotekës Kombëtare” dhe shtoi se është “rritur buxheti që mbështet programin për zhvillimin e institucioneve të kulturës”. Sipas tij, projekti i radhës do të jetë transformimi i sallës së TOB-së dhe ndërtimi i teatrit të ri.

“Ne kemi besim se reforma administrative-territoriale dhe krijimi i bashkive të mëdha do të çojë në ndryshime të rëndësishme në rrjetin e bibliotekave”, tha Rama.