Pas vdekjes tragjike të foshnjës 1-muajshe mëngjesin e sotëm tek Ura e Dajlanit në Durrës, ka reaguar dhe Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili e cilëson ngjarjen “krejtësisht të papranueshme, që nuk duhet të përsëritet kurrsesi”.
Përmes një komunikate për media, Totozani i bën apel pushteteve vendore që duhet të marrin masat që të pastrehëve t’i gjendet në mënyrë urgjente një vendstrehim.
“Avokati i Popullit i mëshon fort zbatimit të rekomandimit drejtuar pushtetit vendor, se duhet të marrë të gjitha masat për të pastrehët dhe të varfrit, që në këtë dimër të ftohtë të mos vdesin rrugëve, por të gjenden në mënyrë urgjente vendstrehime”, thuhet në deklaratën për shtyp.
“U bëjmë thirrje drejtuesve vendorë, por edhe të gjithë qytetarëve që të tregojnë dhembshuri dhe solidaritet për njerëzit e pamundur, të varfrit, të pastrehët, që të shmangen këto tragjedi njerëzore”, shprehet Avokati i Popullit.





