Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto u ka bërë apel qytetarëve që të mos dëmtojnë sinjalistikën rrugore, duke u bërë të qartë dhe ashpërsimin e masave me gjoba që shkojnë nga 25 deri në 100 mijë lekë të rinj.
“Shumë e rëndësishme të kuptohet nga qytetarët që ky është një investim që realizohet nga taksapaguesit shqiptarë, janë kontributet e tyre dhe duhet të kuptohet që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e rrugës. E dini që para pak kohe janë miratuar disa amendime për sa i takon gjobave dhe masave të tjera për dëmtimin e sinjalistikës dhe shkarravitjet e perimetrit të rrugës, që sot janë në vlerat 25 mijë deri në 100 mijë lekë të rinj”, deklaroi Haxhinasto gjatë inspektimit të punimeve për përmirësimin e sinjalistikës në aksin Rrogozhinë-Kapshticë, në vendin e quajtur Kthesat e Paprrit.





