Pavarësisht se grupi i këshilltarëve të LSI-së e miratoi projektvendimin për rritjen e çmimit të ujit me 20% në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, përfaqësuesit e saj ngritën mjaft rezerva për situatën në të cilën gjendet ndërmarrja e ujësjellësit dhe menaxhimin e ujit të pijshëm.

“Nuk është lajm i mirë për qytetarët për festat e fundvitit. Na rezulton se vetëm 30% e ujit që vjen nga stacioni i Fushë Kuqes po arkëtohet, ndërsa 70 % e ujit humbet në rrjet. Këtu vërehet një keqmenaxhim i ujit, rezulton se rritja e tarifës është e padrejtë, dhe duhet më shumë luftë ndaj informalitetit dhe lidhjeve të paligjshme. Ne e kundërshtojmë parimisht rritjen e tarifave për qytetarët, por në këtë rast do ta miratojmë rritjen e çmimit që ka kërkuar ndërmarrja, sepse kjo është në dobi të së ardhmes së ndërmarrjes së ujësjellësit”, këtë argument dhanë përfaqësuesit e LSI-së të cilët në mbledhjen e kaluar, e shtynë këtë projektvendim.

Kreu i këshilltarëve socialistë Alfred Mullaraj, tha se “prej dy vjetësh ndërmarrja që kur po menaxhohet nga bashkia Durrës, ka një rritje të të ardhurave me 2 miliardë lekë më shumë, por kjo nuk është e mjaftueshme për të shpëtuar ndërmarrjen nga falimentimi. Për këtë arsye duhet rritja e tarifës”, argumentoi Mullaraj.

Armand Teliti nga PD, deklaroi votën kundër këtij projektvendimi, që sipas PD-së rrit koston e faturave për qytetarët, pas rritjes së çmimit të energjisë një vit më parë.

K.H.