Të dënuarit në burgun e Durrësit, por edhe qindra familje shqiptare, po presin me padurim amnistinë e deklaruar për festat e fundvitit, pak kohë më parë nga autoritetet e larta shqiptare. Të dënuarit dhe familjet e tyre, që e kanë dëgjuar lajmin, të cilët aktualisht vuajnë dënimin në burgun e Durrësit, kanë kontaktuar “DurrësLajm”, duke kërkuar informacion më shumë rreth zbatimit të amnistisë.

Drejtori i burgut të Durrësit, Astrit Kote, deklaroi se “ende nuk ka mbërritur vendimi përfundimtar, por pritshmëritë janë të larta për një numër të konsiderueshëm që do të përfitojnë nga amnistia”.

Në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës prej tre muajsh është hapur edhe një sektor i personave me dënime të ulëta, për vepra të vogla penale. Por në këtë repart është transferuar edhe Lulëzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, i cili me vendim gjykate ka lënë burgun e sigurisë së lartë, dhe vuan dënimin në qytetin e lindjes. Po kështu, këtu po vuajnë dënimin edhe 18 të dënuar me probleme mendore në një repart të veçantë.

K.H.