Konsullatat shqiptare në Itali shumë shpejt do të ofrojnë një shërbim të ri, atë të lëshimit të certifikatave të lindjes, vdekjes, të martesës dhe familjare
Nuk do të jetë më e nevojshme të shkohet në Shqipëri për të marrë një certifikatë lindjeje apo familjare që kërkohet nga administrata italiane. Shumë shpejt certifikatat e Zyrave të Gjendjes Civile do të mund të tërhiqen pranë konsullatave shqiptare në Romë, Milano dhe Bari. Praktikisht, për herë të parë, shqiptarët jashtë vendit do të mund të tërheqin në konsullatë certifikatat e lindjes, e vdekjes, familjare dhe të martesës.
Veç faktit që nuk do të jetë e nevojshme të shkohet në Shqipëri, certifikatat e lëshuara nga konsullatat do të jenë shumëgjuhëshe, nuk do të kenë nevojë për përkthim. Do të mjaftojë që ato të çohen në prefekturë për legalizim me vulën apostille e më pas të përdoren pranë administratës publike italiane.
Kostoja e certifikatave të lëshuara nga konsullatat do të jetë 20 euro. Nëse më parë për të siguruar një certifikatë që kërkohej në Itali nga administrata publike duhej shkuar në Shqipëri apo i duhej bërë prokurë dikujt atje e më pas certifikata duhej legalizuar në prefekturë, legalizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme e më pas të sillej në Itali, të përkthehej nga një përkthyes i betuar e më në fund të përdorej, këtej e tutje ajo do të mund të merret drejtpërdrejt në konsullatë në format shumëgjuhësh, të çohet për legalizim në një prefekturë e kështu mund të njihet nga administrata publike italiane.
Tashmë gjithçka është gati. Që në nëntor, Ministria e Brendshme italiane ka lajmëruar të gjitha prefekturat për modelin e ri të certifikatave të lëshuara nga konsullatat shqiptare që do t’u duhet të legalizojnë me vulë apostille. Nga qarkorja e Ministrisë së Brendshme italiane, vërehet se tani për tani po korrigjohet me dorë një mangësi e certifikatave shqiptare siç është mungesa e mbiemrave të prindërve. Në fakt në qarkore saktësohet që certifikatat e lindjes dhe të vdekjes që lëshohen nga konsullatat do të kenë të shtuar me dorë dhe me vulë të konsullatës dy pika: mbiemrin e babait dhe atë të nënës. Edhe nga zyra konsullore në Romë thonë se gjithçka është gati e priten nga dita në ditë udhëzimet e ministrisë për nisjen e këtij shërbimi.
Lëshimi i certifikatave të Gjendjes Civile pranë Konsullatave është vetëm një pjesë e një nisme të gjerë që qeveria shqiptare po ndërmerr për “regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”. Kjo nismë është prezantuar në Tiranë më 11 dhjetor me një konferencë të posaçme nga vetë ministri Bushati në prani edhe të kryeministrit Rama. Lidhur me lëshimin në konsullatat shqiptare të certifikatave të Gjendjes Civile ministri Bushati theksoi:
“Deri dje, të gjithë shqiptarët me banim në Itali, që kishin nevojë për një certifikate familjare, duhet të bënin 6 hapa:
1. të dërgonin një prokurë në Shqipëri tek i afërmi; 2. pastaj i afërmi duhej të shkonte në zyrën e gjendjes civile; 3. në prefekturë; 4. te përkthyesi zyrtar; 5. në Ministrinë e Punëve të Jashtme; 6. dhe në fund tek Ambasada Italiane.
Të gjitha këto me një kosto prej 48 eurosh dhe duke pritur 2 muaj për një shërbim. Ndërsa sot, ky shërbim mund të merret direkt në një prej konsullatave tona në Itali më kosto 20 euro dhe brenda 1 dite”./Shqiptari i Italisë