Këshilli Bashkiak i Durrësit mblidhet pasditen e nesërme për të votuar mbi strukturën e re të bashkisë. Dy nënkryetarë do të shtohen në organikën e Bashkisë së madhe, e cila është zgjeruar me ndarjen e re administrative.
Një ndër pikat e rendit të ditës që do të jenë në diskutim, është dhe shtimi në numër punonjësish në disa drejtori.
Më pikant pritet të jetë momenti i aprovimit të emrave për nënkryetarë dhe partitë që ata përfaqësojnë.
Aktualisht, dy nënkryetarët e Bashkisë së Durrësit i përkasin koalicionit të majtë, njëri i PS-së dhe tjetri i LSI-së. Në mbledhjen e nesërme do të saktësohet nëse organika do të zgjerohet me dy zëvendës të Vangjush Dakos nga Partia Socialiste apo këto poste do të ndahen me partitë që i janë bashkuar koalicionit të majtë, siç është FRD-ja apo PDIU-ja.
Kjo mbetet për t’u parë, ashtu si dhe marrja e miratimit nga ana e partisë më të madhe në koalicion me PS-në, LSI. Më herët, LSI-ja bllokoi një vendim për rritjen e taksës së ujit, duke e lënë “në baltë” PS-në në Këshillin Bashkiak.





