Pak ditë më parë te rotonda e unazës së Kënetës ose “rrugës së vdekjes”, një aksident i rëndë i mori jetën një personi dhe në gjendje të rëndë përfunduan tre persona të tjerë, midis tyre shefi i sektorit të Antidrogës në policinë e Durrësit. Sipas specialiteteve të qarkullimit rrugor në Durrës, shkak i aksidentit ishte shpejtësia e lartë dhe mungesa e sinjalistikës rrugore. Specialistët kanë dalë në përfundimin se aksidenti mund të parandalohej nëse aty do të kishte tabelë sinjalizuese dhe ndriçim rrugor. Sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor, infrastruktura e dobët dhe mungesa e ndriçimit të rotondës, kanë qenë faktorë determinant në përplasjen fatale, pavarësisht shpejtësisë me të cilën udhëtonte mjeti.

“Nëse rruga do të kishte ndriçim, mbrojtëse anësore dhe tabela, aksidenti nuk do të kishte të tilla përmasa. Por nëse këto elemente parësore nuk do të vendosen, sërish aksidente të tilla mund të ndodhin në të ardhmen ashtu siç kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në këtë rrugë”, pohoi shefi i qarkullimit rrugor për qarkun Blerim Laçi i pyetur nga “DurrësLajm”. “Ndriçimi është shumë i rëndësishëm, ashtu si llamarinat mbrojtëse anësore, që mjetet të mos dalin nga rruga në kthesë, apo edhe sinjalistika për të ulur shpejtësinë në rrethrrotullim, duhet të vendosen në mënyrë urgjente”, pohoi Laçi.  

Si pasojë e aksidentit, humbi jetën një 48-vjeçar, ndërsa tre të tjerë përfunduan në gjendje kome. Burimet policore bënë me dije se shefi i Antidrogës Elton Shahini, pritet të niset jashtë shtetit për kurim, pasi gjendja e tij të stabilizohet. “Ka plagë të rënda, rikuperimi mund të bëhet jashtë shtetit, si pasojë e dëmtimeve shumë të rënda që ka pësuar”, pohuan burimet zyrtare. 

K.H.