Bashkia e Tiranës ka ngritur një stacion provizor të autobusëve të linjave që nisen nga kryeqyteti drejt Durrësit e rretheve në jug të vendit. Në një njoftim për mediat, Bashkia sqaron se duke filluar nga data 20 dhjetori stacioni i përkohshëm i nisjes nga Tirana të linjave të mëposhtme do të jetë në sheshpushimin e ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në verilindje të sheshit “Shqiponja”.

Bëhet fjalë për linjat që nisen nga Tirana e shkojnë për në këto zona e anasjellas: Patos-Ballshi, Përmet-Tri Urat, Buz-Përmeti, Vlora, Durrësi, Fieri, Poliçani, Saranda, Himara, Lushnja, Çorovoda, Shijaku, Kuçova, Berati, Kakavija, Gjirokastra, Libohova, Delvina, Tepelena, Konispoli, Kavaja, Rogozhina, Selenica, Roskoveci, Orikumi, Sukthi, Ballshi, Manëz, Divjaka, Këlcyra.

Arsyet sipas bashkisë

-duke parë nevojën emergjente për ngritjen e një stacioni të përkohshëm për linjat ndërqytetëse midis qarqeve;

-me dëshirën për krijimin e lehtësirave operacionale dhe organizative për transportin ndërqytetës;

-me synim rregullimin e qarkullimit të mjeteve të transportit ndërqytetës dhe nxitjen e promovimin e transportit ndërqytetës, krijimin e lehtësirave për bizneset që operojnë në transportin ndërqytetës dhe udhëtarëve të transportit ndërqytetës;

-me përparësinë që veprimtaria e shërbimit të transportit publik të sigurojë një performancë të lartë, standard më të përparuar dhe lehtësi e komoditet të përdorimit të udhëtarëve.