Me rastin e botimit të monografisë së parë për Artistin e Popullit Nikolin Xhoja, në Odeonin që mban emrin e tij në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” është zhvilluar një takim emocionues ku merrnin pjesë autori i monografisë Miho Gjini si dhe miq e bashkëpunëtorë të aktorit të shquar ndër vite.
Në fjalën e hapjes, moderatorja Teuta Dhima ka evidentuar vlerat e mëdha të kësaj monografie dhe punën që ka realizuar Miho për të sjellë pas kaq viteve vlerat e shquara të aktorit tonë të madh Nikolin Xhoja, për të cilin Miho thotë që “pasi e pashë për herë të parë në skenë e adhurova gjithë jetën”. Dhima ka evidentuar edhe numrin e madh të veprave që ka realizuar Miho Gjini. Kritiku i shquar i teatrit tonë Miho Gjini, në fjalën e tij tha se “kjo është monografia e fundit e një serie, të cilën e ka punuar me mjaft dashuri dhe pasion për 5 vjet me radhë”.
Këtë botim ai e quan si një obligim që kishte pasur për vlerat kombëtare që përfaqësonte arti i Xhojës, të cilin e cilëson edhe si aktorin më organik të skenografisë shqiptare. Për të realizuar monografinë për aktorin e shquar të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Nikolin Xhojën, është punuar për 5 vite dhe për këtë ai kërkoi që që ta promovojë po në Durrës, vendi ku lindi dhe ndërroi jetë aktori i madh. Pjesëmarrësit i ka përshëndetur edhe e bija Aksinja Xhoja, e cila ka falënderuar miqtë e babait të saj dhe nënës Meropi Xhojës. Ajo tha se ka rreth 24 vite që jeton ne Itali dhe kërkoi që të përshëndesë pjesëmarrësit me pjesën në piano të titulluar “Triste”, pjesë që i pëlqente aq shumë të atit pasi megjithëse qeshte gjithmonë, ai ishte gjithnjë i trishtuar pasi nuk mund të shkonte të vizitonte Italinë ku kishte familjen e tij. Pas interpretimit të kësaj pjese që u prit me duartrokitje, takimi ka vijuar me referimin e Prof. Dr. Josif Papagjoni si dhe të regjisorit Artisti i Popullit, Mjeshtri i Madh, Gjergj Vlashi.
Miho Gjini, është më së pari kritiku i teatrit, më i zëshmi i fundit të viteve ‘60 e fillimit të atyre ‘70. Ai i përket një periudhe kur teatri njohu zhvillime cilësore, duke u përballur me probleme të ndërlikuara të rritjes. Gjini mbetet si një nga artikuluesit jo vetëm emocionalë të fjalës mbi teatrin, por edhe mendimtar i rrallë dhe filozof i këtij teatri”. Pikërisht për sinqeritetin e fjalës së tij dhe për atë dashuri të madhe që kishte për teatrin, ai u detyrua të paguante edhe një haraç të pamerituar, sikundër qe burgimi.
K.H.