Një ditë pas deklaratave ngjethëse të kryediplomatit amerikan në Tiranë, Donald Lu, një deklaratë e fortë është artikuluar dje nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nikolas Cannon. Nëse Lu kishte në shënjestër gjyqtarët e korruptuar, deklarata e ambasadorit britanik u referohej gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë, trekëndëshit të drejtësisë në një shtet demokratik. Nikolas Cannon tha se në Shqipëri burgjet janë të mbushura plot, por kriminelët më të rrezikshëm janë të lirë dhe lëvizin lirisht. Në një tryezë ku u prezantua dokumenti për uljen e mbipopullimit në burgje, ambasadori Cannon tha se shqetësues është fakti se burgjet janë të mbushur me shkelës ligji për vepra më me më pak rëndësi në vend të shërbejë për burgosjen e individëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore.“Gjykatat shqiptare kanë në dispozicion një larmishmëri dënimesh alternative por ato përdoren shumë rrallë. Ndërkohë masat e dënimit vijojnë të mbeten ekskluzivisht dënimet me burgim. Është shqetësues që vepra me rrezikshmëri më të ulët dënohen me burgim. Është me rëndësi sepse sistemi i burgjeve është i mbipopulluar dhe i mbushur me shkelës ligji për vepra më me pak rëndësi në vend të shërbejë për burgosjen e individëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kjo do të thotë që hapësirat bëhen më të pakta dhe pakësohen burimet financiare”, tha ambasadori.

Nikolas Cannon deklaroi se burgjet janë mbushur me qytetarë të dënuar për vjedhje energjie, ndërsa kriminelët e rrezikshëm janë të lirë. Ky ishte një mesazh i qartë për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. “Arsyeja e dytë më e rëndësishme është se këto individë që burgosen për vepra me më pak rrezikshmëri mund të shkojnë drejt veprave më të rënda penale. Ndonjëherë nuk ka tjetër alternativë për shkelësit e ligjit. Mund të jetë rasti kur një person përsërit një vepër penale, edhe pse e një rëndësie dytësore si p.sh refuzon të paguajë gjobat. Një tjetër shembull është kur shkeljet bëhen mbizotëruese dhe shoqërisë duhet dhënë një mesazh se për këto shkelje do merren masa. Shembulli më i qartë në Shqipëri është vjedhja e energjisë elektrike. Në të tilla rasti, dënimi me burgim duhet të jetë një sanksion i përdorur më rrallë”, tha ambasadori. 

Florian Raunig

Ambasadori i OSBE në Tiranës, Florian Raunig, tha dje se prirja ndëshkuese e drejtësisë penale ka kontribuar në shtimin e popullsisë në burgje dhe se dënimi me burg duhet të përdoret kur vepra penale është tepër e rëndë. “Shqetësimet e besimit të sigurisë nuk mund të zgjidhen thjesht me burgosje, përkundrazi problemi kryesor në sistemin e burgjeve është mbipopullimi. 

Privimi nga liria duhet të jetë opsioni i fundit. Kjo masë duhet të aplikohet vetëm kur vepra penale është aq e rëndë saqë aplikimi i çdo mase tjetër do të ishte i papërshtatshëm. Prezenca rekomandon të shpeshtohen masat alternative të burgimit. Qëllimi i shërbimit të provës është të kontribuojë për një proces të drejtë të drejtësisë penale. Në raste të duhura shërbimi i provës është më efikas dhe më i efektshëm sesa burgu, sepse kombinon dënimin me rehabilitimin”, tha ai. 

Ylli Manjani

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, theksoi se amnistia do të zgjidhë çështjen e mbipopullimit të burgjeve. “Masa e parë që propozova ishte ndërmarrja e një amnistie, kjo jo për të zgjidhur çështjen e mbipopullimit, sepse nuk ishte kjo tema kryesore. Tema kryesore e amnistisë është trajtimi njerëzor. Njerëzit nuk duhet të trajtohen si statistika dhe kjo është pikëpamja, nga e cila unë nuk heq dorë. Sigurisht që pasoja e ligjit të amnistisë ka të bëjë edhe me zgjidhjen e mbipopullimit, por kjo është një masë e përkohshme. Politika penale duhet të këtë parimet dhe rregullat e veta. Ajo duhet të udhëhiqet nga interesi i zbatimit të ligjit. Natyrisht duhet ta pranojmë edhe që na ka dhënë efekt njëfarë shtrëngimi i çastit, por nuk është afatgjatë. Nga kjo pikëpamje, ne jemi mbështetës të politikës penale, që harmonizohet sa më shumë të jetë e mundur në interes të ligjit dhe në interes të parandalimit. Si ministër i Drejtësisë kam ndërmend që së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm të hartojmë një politikë penale strikte, të bazuar në interes të ligjit dhe jo në interesa të çastit”, theksoi Ministri Manjani. /Sot