Mbipopullimi në burgje mbetet një problem ndër vite, i cili është tepër shqetësues edhe për prezencën e OSBE-së në vendin tonë, e cila e sheh dënimin me burg si opsionin e fundit.

“Mbipopullimi është një sfidë për sistemin e drejtësisë penale. Privimi nga liria duhet të jetë opsioni i fundit i dënimit. Kjo masë duhet të aplikohet vetëm kur vepra penale është aq e rëndë saqë aplikimi i çdo mase tjetër do të ishte i papërshtatshëm”, u shpreh ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, duke vënë theksin te shërbimi i provës.

Deklarata u bë sot gjatë prezantimit të raportit të OSBE-së për uljen e mbipopullimit të burgjeve. Edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaroi angazhimin e tij për ndërtimin e një politike penale strikte, të bazuar në interesin e ligjit dhe jo atë të çastit. Sipas Manjanit, është absurditet që sot për armëmbajtje pa leje dënohesh më shumë sesa për terrorizëm.