*Ja 4 koncensionet e denoncuara publikisht. Pronarët e firmave fantazmë ose nuk e realizuan shërbimin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për katër koncesione të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat arrijnë shifrat e miliona eurove dhe kanë qenë objekte akuzash të forta ndaj ministrit Ilir Beqaj.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë, procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion dhe pritet që nën hetim të jenë të gjithë zyrtarët e lartë të ministrisë, përfshirë edhe vetë ministrin Beqaj, që është edhe ministri më i sulmuar nga opozita.  Ky hetim vjen pas muajsh akuzash dhe publikimesh të shkrimeve investigative për aferat korruptive, publikuar kryesisht nga BIRN.

Në qendër të hetimeve janë disa koncesione:

Koncesioni i hemodializës, me vlerë 86 milionë dollarë.

Në tetor 2015, BIRN investigoi kompaninë fituese të koncesionit të hemodializës, Evita Sh.p.k, e cila përfitoi pjesën kryesore të kontratës së prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se “Evita” shpk e fitoi koncesionin për hemodializën bashkë me Spitalin Amerikan. Më pas rezultoi se Spitali Amerikan do të ketë vetëm 15 % të aksioneve në kompaninë e re, të krijuar për operimin e koncesionit.

Koncesioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, që shkon deri në 100 milionë dollarë.

Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë USD do të hetohet gjithashtu nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas një investigimi të BIRN, kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxha të Italisë, Ilir Rrapaj fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.

Koncesioni i check-upit të trumbetuar si falas

Koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing& Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit do të jetë gjithashtu pjesë e këtyre hetimeve. Edhe pse u hodh një shumë e madhe parash, check-up duhet të bëhet në poliklinikat shtetërore, të cilat nuk e përballojnë dot.

Koncesioni për herceptinën

Ky është një medikament që përdoret për kimioterapi dhe që ende nuk gjendet në repartin e Onkologjisë, në QSUT, megjithë nevojën e madhe të pacientëve.