*Eduart Xhepa: Ministri Cani nuk ka kthyer përgjigje!
Nëse qeveria shqiptare dhe ajo lokale, nuk do të marrin në konsideratë propozimet e shoqatave të turizmit, jo vetëm që konkurrenca me vendet e rajonit është tërësisht e humbur, por duket të kenë në vëmendje edhe ulje drastike të numrit të pushuesve që frekuentojnë vendin tonë për vitin 2016. “Shoqatat e turizmit në Durrës, kanë dalë me dy propozime konkrete për Ministrinë e Financave: me uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar për biznesin turistik nga 20 në 8%, dhe vendosjen e çmimeve për hotelet, në bazë të zonave, por jo më shumë se 140 lekë në natë për person. Deri tani nuk na është kthyer asnjë përgjigje”, deklaroi për “DurrësLajm” Eduart Xhepa, kryetar i shoqatës së hotelierëve në Durrës.
“Në të gjitha vendet e rajonit, TVSH është nga 4 në 8 %. Taksën e hotelerisë e kërkojmë fikse, dhe të ndarë sipas zonave, por jo më shumë se 140 lekë në natë për person. Qeveria duhet të kuptojë së bashku me operatorët turistikë, arsyen pse një turist i huaj duhet të vijë në vendin tonë. Çfarë ka këtu që duhet të vijë në Shqipëri, dhe pse shqiptarët i bëjnë pushimet jashtë vendit?”, thotë Xhepa.
“Por nga ana tjetër, krijimi i kushteve sa më të mira në infrastrukturë, për mikpritjen e pushuesve është detyrë e pushtetit lokal në bashkëpunim me operatorët. Dihet që problemet janë të mëdha në këtë drejtim”, pohoi kreu i shoqatës së turizmit.
Në bazë të të dhënave të bërë publike, të ardhurat nga turizmi për zonën e Durrësit arrijnë deri në 150 milionë euro në vit. Mbi 6 miliard euro kanë investuar subjektet private për këtë sektor, ndërsa numri i pushuesve në ditët e pikut arrin në 150 mijë persona në ditë.
K.H.





