Besmir Karaj, Inspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës, është paraqitur sërisht sot në Prokurori, pasi një ditë më parë ai bëri kallëzim penal për falsifikim të firmës së tij në gjobën që Bashkia
Tiranë i vendosi PD-së. Sot Karaj ka dhënë para hetuesve firmën e tij origjinale, e cila pritet të krahasohet me firmën që gjendet në fletë-gjobën e PD-së.
Pritet që Prokuroria të marrë në pyetje edhe punonjës të tjerë të Bashkisë, nëse firma do të rezultojë e falsifikuar.
Besmir Karaj ka mohuar që ai të ketë firmosur gjobën me vlerë 16 milionë lekë, që iu vendos PD-së pas protestës së 8 dhjetorit. Ndërkohë kryebashkiaku Veliaj tha dje se inspektori Besmir Karaj është detyruar nga PD-ja të mohojë firmën e tij. Kjo sipas Veliajt ka ndodhur për shkak se babai i Karajt është kryetar i PD-së në Fushë Krujë.





