*Policët: Na paguani orët shtesë të sezonit veror! Në punë na mbajnë 12 orë, si në kohën e komunizmit…
Patrulla e përgjithshme, inspektorët e krimeve, të gjithë punonjësit e qarkullimit rrugor, pothuajse të gjitha shërbimet u vunë në gatishmëri 12 orë në sezonin veror në Durrës. Rreth 700 punonjës policie në varësi të drejtorisë së policisë së qarkut Durrës, në mbyllje të vitit kalendarik kërkojnë shpërblimet për orët shtesë që kanë punuar gjatë këtij viti.
“Në sezonin veror, për tre muaj me radhë, 90 ditë kalendarike na kanë kërkuar në punë e kemi punuar nga 12 orë në ditë, katër më shumë se orari zyrtar. Për sezonin veror u planifikuan shërbimet e përforcuara në rrugë e në zonat turistike, duke bërë që orari i punës të zgjaste 12 orë në ditë, prej 15 qershorit deri më 15 shtator. Gjatë kësaj periudhe, me një urdhër të brendshëm u pezulluan të gjitha lejet vjetore të pushimeve. Kur të gjithë pushonin në verë, punonjësve të policisë kjo nuk u lejohej. Pasi u mbyll sezoni turistik, të gjithë punonjësit prisnin shpërblimet për orët shtesë”, thanë disa punonjës policie për “DurrësLajm”.
Policët që nuk duan të identifikohen thonë se edhe në muajin nëntor kaluan në shërbime të përforcuara e në gatishmëri për shkak të luftës ndaj terrorizmit, dhe asnjë prej tyre nuk është paguar për orët shtesë. Burimet thonë se shpërblimet janë firmosur nga drejtori i policisë së qarkut, por çështja ka mbetur te zyra e financës. Edhe në Ministrinë e Brendshme pohohet se nuk ka pasur kundërshti për pagesat jashtë orarit të punonjësve të policisë, por dega e financës në policinë e Durrësit, nuk e ka kaluar ende fondin për punonjësit e saj. “Mirë shpërblim që nuk na japin, por orët shtesë pse nuk na i paguajnë, se nuk jemi në kohën e komunizmit, që punohej vullnetarisht”, pohojnë punonjësit e policisë së Durrësit.





