Arrestohet një 55-vjeçar nga qyteti i Durrësit, pasi ka dhunuar një punonjës policie pa asnjë shkak.

Në pranga ra Sandër Meka, i cili ka kundërshtuar dhe goditur me grushte për shkak të detyrës, Specialistin e Policisë Shkencore, shtetasin N.A., 63 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 13 në Plazh, në sektorin “Iliria”, ku policia kishte shkuar në vendngjarje pasi aty po ndërtohej një objekt pa leje. Punonjësi i policisë po kryente detyrën e tij, kur në ato momente i afrohet Sandër Meka, në gjendje të dehur, dhe fillon ta sulmojë pa pasur asnjë arsye konkrete.

Burime nga policia informojnë se Meka nuk kishte asnjë lidhje me punën që po kryhej nga ana e uniformave blu në vendngjarje, por ishte thjesht një qytetar që qëlloi aty dhe i “ra në qafë” kot policit.

Ndërkohë, u arrestua dhe Agim Baliko, 63 vjeç, banues në Durrës, pronari që po bënte rrethimin pa leje të një toke shtetërore.

Mbi Sandër Mekën rëndon akuza e “Kundërshtimit të punonjësit të policisë të rendit publik”, ndërsa mbi Agim Balikon akuza e “Ndërtimit të paligjshëm”.