Shenim nga Bledian Koka

Nënë Barbulla Pepa dhe mjerimi i saj nuk ishte një histori e panjohur për publikun shqiptar. Që sot e tutje ajo nuk do të jetë më halli i askujt, as i atyre që para një muaji ia falën ca lek për të paguar faturat e papaguara të energjisë, dhe aq me pak i qeverisë që nuk i fali asaj asnjë lek në debinë që ajo i kishte nga pamundësia për të qenë në rregull me shtetin. Nënë Barbulla, iku e u ftoh në të ftohtin e acartët të dimrit mirditor, në heshtje, pa klithma, pa protestë, pa njeri aty pranë, pa patur mundësinë ta thotë fjalën e fundit, pa e patur një njeri që t’ia thoshte një fjalë të fundit. Nënë Barbulla iku dhe na la në derë keqardhjen e madhe për të, dhe në të njëjtën kohë keqardhjen për veten.

Keqardhjen për çfarë jemi shndërruar ne të gjithë sot. Në një tufë njerëzit të kapur rob nën thundrën e një aksioni-çmenduri që nuk njeh njerëzillik, nuk njeh mëshirë, nuk njeh arsye e nuk pyet për vdekjen që po ngadhënjen mbi jetën çdo ditë. 91-vjeçarja Barbulla Pepa, rreth një muaj e gjysmë më parë i iu lut qeverisë që t’i rilidhte energjinë e elektrike, madje edhe i çoi një grusht lekësh të falur nga sevapa e atyre që besuan se me lëmoshë do falnin jetë. Ia çoi ato para veremi shtetit që e nëpërkëmbi në këmbim të mëshirës për pak dritë, o mik, o vlla, o djal, o Kryeministër. Dhë në këmbim shteti, ia mori lekët e falura dhe ia preu rrymën.

Ia preu mundësinë për t’u ngrohur dhe e la të ftohej njëherë e përgjithmonë si e paqenë. Nënë Barbulla është sot zyrtarisht viktima e 8-të aksionit të paarsyes. Nënë Barbulla sot me largimin e heshtur nga kjo jetë ia mbylli gojën llapaqenëve të qeverisë dhe aty rrotull qoftë edhe për një ditë, ata të cilët jargëzonin kur ulërinin “kur paguaj vetë pse të mos paguajnë edhe të tjerët”, ia përmorri lebetitjen shtetarëve me klithjet e tyre “Ne dimë të bëjmë shtet”. Nënë Barbullës ndoshta nuk sot nuk ka kush ti qajë tek koka e kallkanosur, por për nënën sot ne vajtojmë të gjithë. Vajtojmë nënën, por vajtojmë edhe për veten, mbajmë zi për nënë e cila mbylli në zi jetën. Sot ne lutemi për shpirtin e nënës dhe i lutemi asaj që ti fali ata që as nuk e morën mundimin ta falin. Ndërsa urojmë që shpirti yt të prehet në paqe, një kërkesë të fundit e kemi sot për ty shqiptarja jonë…Fali Nënë Barbulla, fali se nuk dinë se ç’bëjnë.