Instituti i Statistikave raporti se çmimet në nëntor ishin mesatarisht 1.7 përqind më të larta se një vit më parë. Sipas këtij institucioni, shkaku kryesor për këtë rritje është shtrenjtimi i ushqimeve, të cilat në tërësi aktualisht kushtojnë në treg 2.1 përqind më shtrenjtë se një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se, e vetme, rritja e çmimit të ushqimeve ka shkaktuar gati gjysmën e inflacionit total prej 1.7 përqind. Tri zërat e tjerë me ndikimin më të madh në inflacion janë pijet alkoolike dhe cigaret, çmimi i të cilave u rrit me 7.7 përqind krahasuar me vjet, ndërsa shërbimi arsimor dhe qiratë e energjia u shtrenjtuan respektivisht me 11.2 dhe 0.9 përqind.

Në kahun tjetër, çmimet e shërbimit shëndetësor dhe mobilimit të shtëpive janë ulur me 5.3 dhe 0.5 përqind. Përgjatë dy viteve të fundit, rritja e çmimeve në tregun vendas ka qenë e dobët, nën objektivin ligjor të Bankës së Shqipërisë, e imponuar nga rënia e konsumit dhe fuqisë blerëse të qytetarëve. Por, tek ushqimet duket se ecuria e çmimeve është më pak e ndjeshme ndaj kërkesës në treg.

Sipas Bankës Botërore, rritja e tyre, ndonëse 2.1 përqind, godet më fortë pjesën më të varfër të shoqërisë. Kjo, pasi në buxhetet e tyre, pesha e ushqimeve zë deri në mbi 70 përqind të totalit të shpenzimeve.

Të dhënat tregojnë se, paralelisht, familjet e varfëra kanë qenë edhe grupi më i prekur nga kriza, duke u përballur me rënien e të ardhurave, që ka shkaktuar ngadalësimi i fortë i rritjes ekonomike në tri vitet e fundit.