Policia e shtetit kujtohet kur banorëve iu mblidhet laku në fyt. Një kamion i ngarkuar me materiale ndërtimi, mbeti në mes të baltës dhe bllokoi qarkullimin për mjetet e tjera dhe këmbësorët.

Ngjarja ndodhi te lagjja numër 8 në rrugën “Pjetër Bogdani” në Durrës. Shoferi iku, u largua, mjeti mbeti në rrugë, ndërsa banorët lajmëruan policinë. Dhe inspektorët e rendit, kur nuk i bien dot gomarit, i bien samarit.

Policia shoqëroi një punëtor i cili ishte duke suvatuar në banesën, që dyshohet se po ndërtohej pa leje. Punëtori i llaçit iku në polici, ndërsa i zoti i banesës, dhe shoferi që mbeti në baltë, ishin zhdukur. Banorët i kërkuan policisë të hapte rrugën e bllokuar, por edhe furgoni i policisë, nuk mund të çajë dot baltën e gjolin e rrugës.