9 dhjetor 2015 – Një aksident i rëndë është shënuar para mesnate në Durrës. Policia bëri me dije se një person humbi jetën e tre të tjerë u plagosën rëndë, kur automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit të ndodhur te Rotonda e zonës së ish-Kënetës, ka humbur jetën shtetasi me iniciale E.K., 48 vjeç, banues në Tiranë, dhe janë plagosur tre të tjerë, midis tyre dhe shefi i Antidrogës në Krujë.

Policia bëri me dije se drejtuesi i automjetit tip "Nissan" me targa AA 664 MZ ku udhëtonin 4 personat, ka humbur kontrollin, e doli jashtë rruge. Nga hetimet paraprake, dyshohet se shkak i këtij aksidenti të rëndë ka qenë shpejtësia e lartë.

Burimet policore informojnë se tre të plagosurit, shtetasit A.S. 33 vjeç, Zh.K. 33 vjeç, dhe E.Z 38 vjeç, të tre banues në Tiranë, fillimisht janë dërguar në spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë. Në mëngjes, ata janë transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku shefi i Antidrogës është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

Ky segment rrugor është shumë problematik, dhe konsiderohet si "rruga e vdekjes" në Durrës, për shkak të mungesave të sinjalistikës.