8 dhjetor 2015 – Dritat e Krishtlindjes kanë ndriçuar qytetin bregdetar. Në Durrës, pema e Krishtlindjes u vendos në sheshin “Liria” në një spektakël dritash që shtrihen në të gjithë qendrën e qytetit, nga Ura e Dajlanit në hyrje, deri në shëtitoren “Taulantia”. Është një atmosferë këndjellëse, që i bën qytetarët edhe më optimistë, në festën e ndërrimit të viteve.
3.7 milionë lekë ishte buxheti i bashkisë për dekorimin e qytetit të Durrësit për festat e fundvitit 2015. Bredhi 9 metra i gjatë është ndriçuar në qendër të Durrësit, me një mijë topa të bardhë e të verdhë, ndërsa veç rrugëve kryesore, asnjë prej segmenteve dytësore nuk dekorohet. Hyrja e qytetit, sheshet kryesore dhe rrugët kryesore japin atmosferën e fundvitit, ndërsa mungojnë ngjyrat e kuqe.
Dashamir Kadiu, inxhinier në ndërmarrjen e dekorit të qytetit, tregon më shumë rreth dekorimit të qytetit për festat e fundvitit.
Për dekor janë përdorur edhe materialet e viteve të shkuara, sepse buxheti i limituar, nuk ka lejuar ndërmarrjen të zgjerojë edhe në rrugë të tjera dekorimin e ndriçimin e rrugëve. Pa u ndriçuar mbeten dy rrugë kryesore nga Pallati i Sportit te stadiumi, dhe nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri te spitali, ku edhe ka qenë traditë në vitet e shkuara.
Qytetarëve të Durrësit, iu mbetet të shijojnë atmosferën e ngrohtë, që përcjellin rrugët gjatë netëve.
Buxheti i bashkisë për dekorin e fundvitit, është tre herë më pak se ai i bashkisë së Fierit, apo edhe Gjirokastrës, që kanë buxhete vjetore disa herë më të vogla se Durrësi.
/K.H. portali DurresLajm/





