7dhjetor 2015 – Janë qindra fëmijë refugjatësh që janë zhdukur që nga viti i kaluar pasi kanë mbërritur në Britaninë e Madhe. Mes tyre edhe shqiptarë. Alarmi vihet në një shkrim të botuar nga e përjavshmja “Newsweek” e cila citon një raport të “The Observer”. Sipas të njëjtave burime nga janari në shtator të këtij viti janë shpallur të humbur 340 fëmijë ndërsa në 5 vitet e fundit numërohen gjithsej 900 fëmijë të humbur. Numrin më të madh të fëmijëve të zhdukur e mban Afganistani, Shqipëria dhe Vietnami ndërsa më pas vijnë Siria, Eritrea dhe Irani.
“Fëmijët shqiptarë janë gjithashtu në rrezik. Në 17 tetor të këtij viti qendra e bamirësisë “Barnardo” tha se numri i fëmijëve shqiptarë që janë detyruar të punojnë si skllevër është në rritje. Shefi ekzekutiv i kësaj qendre, Javed Khan, tha se shumë fëmijë shqiptarë janë përdorur për punë të detyruar, shpesh në zonat e ndërtimit, por shumica janë shfrytëzuar për veprimtari kriminale, të tilla si prostitucioni. Khan nuk specifikon saktësisht se sa fëmijë shqiptarë janë duke punuar si skllevër megjithatë 382 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për statusin e azilit në tremujorin e tretë të këtij viti 7% më shumë se në të njëjtën periudhë në vitit 2014”, shkruhet në “Newsweek”.
Organizata bamirëse në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë të shqetësuara për sigurinë e të miturve të pashoqëruar dhe besojnë se autoritetet lokale duhet të bëjnë më shumë për të njoftuar fëmijët për të drejtat e tyre. “Gjatë disa muajve të fundit, Kryqi i Kuq Britanik ka parë një rritje të madhe të numrit të azilkërkuesve fëmijë të pashoqëruar” – tha Hugo Tristram, menaxher i zhvillimit të shërbimit të refugjatëve në Kryqin e Kuq britanik, në një deklaratë për Neësëeek.
“Shumë të rinj vijnë në Britaninë e Madhe. Ky është një sistem shumë i frikshëm dhe i komplikuar. Padyshim frika është se këta të mitur ikin për një arsye bindëse nga vendi i tyre por shkojnë drejt mjerimit dhe të pastrehëve dhe duke mbetur të pambrojtur ndaj shfrytëzimit apo trafikimit”, tha ai. /lapsi.al/





