6dhjetor 2015 – Publikimi i videos së arrestimit të prokurorit të Krujës, Haxhi Giu, ka bërë që gjykata ta përdorë kundër organit të akuzës.
Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë ditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka konstatuar se qëndrimi i organit të akuzës ka qenë jokorrekt. Konkretisht, në vendimin e firmosur katër ditë më parë kur ndaj Haxhi Giut caktoi masën e arrestit me burg, gjykata urdhëronte që ekzekutimi i kësaj mase të bëhej nga oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Por, ashtu si duket edhe në video ekzekutimi i masës është bërë nga oficerë të Repartit Shqiponja dhe në mënyrë demonstrative me kamera, e më pas pamjet filmike janë bërë publike edhe në media.
Nisur nga pozicioni i Giut është urdhëruar që për ruajtjen e tij do të bëhet izolimi në një ambient pa të paraburgosur të tjerë, pasi është në rrezik siguria fizike.
Haxhi Giu njihet si kreu i grupit hetimor për vrasjen e deputetit Azem Hajdari.
Por, ai u arrestua me akuzën e marrjes së ryshfetit prej 29 mijë euro për të liruar nga burgu të akuzuarin për trafik droge.
/portali DurrësLajm/





