*Pranga dhe ish-zv/drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave Lula Njebza

*“Zhdukja” e 4.4 mln litrave naftë, i ka shkaktuar shtetit një dëm mbi 2 milionë euro

5 dhjetor 2015 – Shtatë zyrtarë të doganës Fier, midis tyre edhe një ish-Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, janë arrestuar mbrëmjen e sotme në akuzën “Shpërdorim detyre”.

Të arrestuarit janë Adrian Alikaj dhe Syrja Misiraj me pozicion doganierë të Akcizës, Alfred Bushi ish-shef i Akcizës; Lula Njebza Ish- Zv/drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave; Mirarbër Teneqexhiu ish-drejtor i Doganës Fier.

Po kështu në Tiranë janë lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” doganieret Ortenca Zorba dhe Elona Jareci, ndërkohë që është shpallur në kërkim Adrian Xhillari, administrator i një kompanie.

Prokuroria e Fierit ka evidentuar 7 zyrtarë të doganave, përfshirë edhe ish-Zv.drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave dhe ka urdhëruar arrestimin e tyre pas lejes së marrë nga gjykata, si përgjegjës për veprën penale “shpërdorim detyre”, me pasojë zhdukjen e 4.4 milionë litrave naftë “virxhin” nga depozitat e kompanisë “Tea Construction & Petrol”, me administrator Adrian Xhillari. Ndaj këtij të fundit është nxjerrë gjithashtu urdhër arresti, pasi ky i fundit dyshohet për konsumimin e veprës penale “Kontrabandë me mallra që paguhen akcizë”.

Vendimi i gjykatës për punonjësit e doganës është ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, administratori Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar pak muaj më parë, pasi rezulton se është jashtë Shqipërisë.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania e shtetasit Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.

Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë.

Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milionë euro nga shmangia e pagimit të akcizës.

Prokuroria e Fierit, në vijim të hetimeve të saj, ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “virxhin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar edhe për shkak se zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë kryer aspak detyrën e tyre.

/portali DurresLajm/