3dhjetor 2015 – Arben Hasa, 39 vjeçari i ekzekutuar në Shkallë të Manzës, kishte festuar më 28 nëntor. Babai i një djali 12 vjeç, ai kishte marrë urimet pa e ditur se ato do të ishin të fundit. Prej vitesh, Hasa kishte hapur një biznes në përpunim druri, duke iu përgjigjur kërkesave të tregut. Punimet e fundit i kishte publikuar dhe në faqen që kishte hapur në Facebook, disa prej të cilave po i botojmë, ndërsa ai vetë shprehte entuziazmin për punën dhe krijimet e reja që e prisnin.

Nga ana e policisë krimi erdhi si pasojë e një konflikti banal që ishte shkaktuar mes Arben Hasës dhe autorit të dyshuar, ende në kërkim, Miran Tila. Nga hetimet e policisë, rezulton se Tila dhe viktima, Arben Hasa, banues në Karpën të Maminasit kanë qenë shokë të ngushtë. Por, nga mënyra e ekzekutimit makabre dyshohet se konflikti të jetë më i thellë.

Rrethanat dhe shkaqet e krimit pritet të sqarohen pas arrestimit të autorit, i cili duket se e ka përgatitur deri në detaj planin e futjes në kurth, ekzekutimit të 39-vjeçarit e më pas arratisë.

/portali DurrësLajm/