3 dhjetor 2015 – Jani Hasa, vëllai i 39-vjeçarit Arben Hasa, të vrarë me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e shkuar në rrugën nacionale Durrës-Manëz, në një prononcim për “DurresLajm” ka rrëfyer se si e mësoi lajmin për vrasjen e vëllait të tij.

“Ka qenë para mesnate, kur më mori nusja e vëllait, Anila, e më tha që kanë vrarë Arbenin. Jam nisur menjëherë nga Burreli dhe kam mbërritur për dy orë në Manëz. Së bashku me policinë, ne kemi kërkuar përgjatë gjithë natës. Ishte e tmerrshme kur na lajmëroi nusja e vëllait. Na tha që erdhi dhe e thirri një shok për të dalë. Telefonin e kishte lënë në shtëpi. Ajo u bë merak dhe kishte lajmëruar policinë që nuk po i shkonte burri në shtëpi… na lajmëroi edhe ne”.

Jani Hasa tregon se si e ka parë vendin e ngjarjes. “Ishte një krim i vërtetë, masakër me kallashnikov. Mjeti kishte gjurmë të forta frenimi. Xhami i makinës ishte i thyer, që duket i kanë zënë pritë. Më pas, nuk dihet nëse vëllai ka dalë vetë nga makina, nëse ka qenë gjallë, apo e kanë tërhequr zvarrë për gati 1 kilometër. Por gjurmët e gjakut kishin mbuluar të gjithë rrugën, nga makina deri te vendi ku u gjet i pajetë.”

Vëllai i 39-vjeçarit të vrarë kërkon drejtësi nga shteti. “Policia punoi mbrëmë dhe për këtë i falënderoj. Por dua që të vendoset drejtësi. Autori të kapet e të dënohet për këtë vrasje. Vëllai nuk kishte konflikte me njeri, do ma kish thënë. Kishte një pikë të përpunimit të druve, dhe i shpërndante. Punonte me të shoqen. Ka lënë pas një djalë jetim 12-vjeçar”, thotë Jani. 

/K.H. portali DurresLajm/