3 dhjetor 2015 – Arrestimi i djeshëm i një prokurori ishte një “spektakël” në sytë e një opinioni publik, të lodhur nga mungesa e penalizimeve për ‘peshqit e drejtësisë’.

Ishte zgjedhur ta ndalonin pikërisht teksa po udhëtonte me makinën e tij Benz E Class, një standard i lartë për këdo që merr pagë edhe të lartë në Shqipëri.

Shumë komentues në rrjet kanë komentuar makinën e Haxhi Giut, por edhe ndërhyrjen e policisë.

“Të ishte një qytetar i thjeshtë, do e plasnin përtokë dhe nuk do i flisnin me edukatë,” ironizojnë në rrjet.

Ka pasur edhe kritika për publikimin e pamjeve të arrestimit dhe për mënyrën e zgjedhur për ta ndaluar.

Megjithatë të shumtë janë ata që pyesin se cila është pasuria e prokurorit Giu.

Sipas gazetës Panorama, ai ka deklaruar zyrtarisht në ILDKP se ka në pronësi dy apartamente me sipërfaqe të madhe dhe një vilë katërkatëshe.

Giu thotë se ka depozita bankare me një vlerë deri në 50 milionë lekë të rinj.

Makina e tij mendohet se kushton rreth 25 mijë euro, por sipas Panoramës ai nuk e ka të deklaruar.

ILDKP do nisë hetimet për pasurinë e Giut./ Mapo

/portali DurresLajm/