2 dhjetor 2015 – Për vitin 2014, Ujësjellës Kanalizime Durrës, i cili është në grupin e parë, është cilësuar shoqëria me performancën më të mirë duke u renditur e para në grupin e parë. Ky është raporti i performancës për shoqëritë Ujësjellës Kanalizime për vitin 2014, i publikuar nga Enti Rregullator i Ujit i Shqipërisë.

Sipas raportit në fjalë, Ujësjellës Kanalizime Durrës ka pasur progresin më të mirë krahasuar me vitin 2013 duke marrë në total 61.80 pikë, 13.66 pikë më shumë se viti 2013. Në bazë të kësaj renditjeje, shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës është cilësuar si shoqëria me progresin më të mirë në ujësjellësit e grupit të parë.

Gjatë vitit 2014 kjo shoqëri ka përmirësuar ndjeshëm shkallën e mbulimit të kostove të operimit, normën e arkëtimit si dhe nivelin e matjes. Respektivisht është rritur norma e arkëtimit në nivelin 91%, krahasuar me 64% në vitin 2013, norma e arkëtimit në 82.03% nga 72% në vitin 2013 si dhe ka rritur nivelin e matjes me 9.92% krahasuar me vitin 2013, duke e çuar nivelin e matjes në 80.03%.

Në lidhje me aspektet e tjera që janë marrë në konsideratë në këtë raport, UKD rezulton të jetë tek katër ujësjellësit me eficencë të pranueshme të stafit, në grupin e ujësjellësve me 4-6 punonjës për çdo 1000 lidhje.

Elementet mbi të cilat kryhet vlerësimi

Në këtë raport jepet në mënyrë të detajuar ecuria e punës së ujësjellësve në gjithë vendin duke analizuar të gjithë elementët e përbashkët për eficencën e stafit, nivelin e matjes së ujit, faturimit, arkëtimit, kohën e furnizimit me ujë dhe në fund renditjen e ujësjellësve sipas performancës së tyre përgjatë vitit 2014. Në këtë raport janë marrë në konsideratë ujësjellësit që kanë minimalisht nga 1000 pika lidhje për konsumatorin. Në grupin e parë janë përfshirë 11 ujësjellës, ku futen ata që kanë më shumë se 15 000 pika lidhje.

Renditja e shoqërive në bazë të pikëve të grumbulluara pasqyron arritjet aktuale të tyre dhe shërben për identifikimin e shoqërive me nivelin më të mirë të performancës sipas grupeve përkatëse. Krahasuar me një vit më parë, ecuria e mirë e punës së tyre ka sjellë më shumë pikë të grumbulluara për vitin 2014. Për të vlerësuar këto ndryshime të performancës, pikët e vlerësimit të performancës së përgjithshme në vitin 2014 janë krahasuar me ato të vitit 2013.

/S.L. portali DurresLajm/