1dhjetor 2015– Aktori i madh i humorit durrsak, Muharrem Hoxha, i ka dhënë fund karrierës humoristike, e me ikjen e tij mori fund edhe Estrada në qytetin e Durrësit. Muharrem Hoxha, me mbi 80 role të spikatura, që kanë përcjellë plot humor, situata e mesazhe të rëndësishme për publikun, e ka renditur emrin e tij në pararojën e varietesë durrsake e shqiptare.

Udhëtimi 40­vjeçar si artist nuk ka qenë fort i lehtë për Rremën (Muharrem Hoxha), të cilit shpeshherë i kanë vënë edhe shkopinj nën rrota. Me një biografi problematike, me një xhaxha në burg, Rremës

iu deshën vite deri sa të bëhej pjesë e Estradës profesioniste të Durrësit. E megjithatë, edhe si pjesë e trupave amatore, ai e ka shijuar skenën dhe ka marrë shumë dashuri nga publiku. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, teksa tregon copëza nga jeta e tij, Hoxha shprehet se ndihet i kompletuar, duke siguruar adhurimin e shqiptarëve. Së fundmi ai mori edhe titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Z. Hoxha, me daljen tuaj në pension u mbyll edhe Estrada e Durrësit. Ju vjen keq për këtë fakt?

Sigurisht që më vjen shumë keq. Më vjen keq, sepse është punuar shumë për të ngritur Estradën në qytetin e Durrësit, ku dhjetëra aktorë e regjisorë kanë punuar ditë e natë. Është dhënë një kontribut i

madh për Estradën. Unë isha i fundit. Me daljen time në pension, u mbyll edhe Estrada e Durrësit, sikurse po zhduken edhe ato të rretheve të tjera, si Vlora, Tirana, Shkodra, Berati etj. Fatkeqësisht

nuk lamë pasardhës për të ndjekur gjurmët tona, pra të vazhdonte ai humori popullor.

Nuk keni shkollën përkatëse, si u adoptuat në fushën e aktrimit?

Unë kisha një dhunti prej Zotit. Isha në klasën e gjashtë dhe kisha shkuar për vizitë te xhaxhallarët e mi në Burrel. Të afërmit e mi ishin internuar atje. Njërin prej xhaxhallarëve dhe hallat punonin pranë Estradës së qytetit të Burrelit, ndërsa xhaxhai tjetër ndodhej në burg për arsye politike. Aty, në Estradën e Burrelit, më dhanë një rol dhe kjo ishte dalja ime e parë në skenë. Isha shumë i vogël, dhe mbaj mend që më dhanë konjak që mos të më ikte zëri dhe të hiqja emocionet. Të gjithë të pranishmit në sallë më duartrokitën dhe kështu filloi edhe jeta ime si parodist. Më shumë sesa shkolla, artisti duhet të ketë vullnet dhe mbi të gjitha, të jetë një personazh popullor në jetën e përditshme. Nga aktorët e Durrësit, vetëm Aishe Stari kishte shkollën përkatëse, pasi kishte mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Si u bëtë pjesë e Estradës së Durrësit?

Falë Fadil Hasës u bëra pjesë e trupës së estradës amatore të qytetit të Durrësit. Bënim prova në ndërmarrje dhe aty më pikasi Fadili, i cili më mori me vete në çdo ndërmarrje ku jepnim shfaqje. U thoshte drejtorëve: Nëse doni çmim, më jepni Rremën. Kështu ndodhi. Kudo shkonte Fadili, shkoja edhe unë. Kam ndërruar shtatë ndërmarrje me zanate të ndryshme. Kam shtatë kategori, si mekanik, motorist, xhenerik, marangoz etj., por asnjë gozhdë nuk di të ngul. Ishte viti 1973 kur u bëra pjesë e estradës amatore, e cila jepte shfaqje te Pallati “Rinia”. Për 14 vite me radhë kam qenë pjesë e trupës amatore, konkretisht deri në vitin 1986. Ishte një periudhë shumë e bukur dhe e kujtoj me nostalgji. Nga trupa amatore, dolën më pas të gjithë profesionistët.

Të flasim pak për vitet që keni kaluar në estradën amatore, e cila jepte shfaqe te Pallati “Rinia”. Durrsakët që kanë jetuar atë periudhë, pra nga viti 1974 deri 1986, thonë se te Pallati “Rinia” nuk kishte shumë censurë për kohën, madje, aty këndohej muzikë moderne dhe gjithë rinia durrsake e ndiqte me shumë kureshtje. Si ishte e mundur kjo “liri”?

Në fakt, ka pasur njëfarë tolerimi, sepse Sigurimi i Shtetit na konsideronte amatorë dhe nuk na kushtonte shumë vëmendje, por ka pasur raste kur më kanë “tërhequr” veshin. Trupa amatore nisi të fitonte terren kundrejt trupës profesioniste, dhe Pallati “Rinia” mbushej gjithnjë e më shumë. Është e vërtetë ajo që thoni ju, se këndohej muzikë moderne, por nuk ekzagjerohej. Tre­katër herë më kanë thërritur ata të Sigurimit, sepse dilja pak nga skenari. Unë isha tifoz i madh futbolli dhe sajoja ndonjë gjë aty për aty në lidhje me ndeshjen e fundit që ishte zhvilluar. Kjo pëlqehej shumë nga publiku, por jo nga Sigurimi i Shtetit, aq më tepër që unë vija nga familje e persekutuar dhe një xhaxha e kisha në burg. Por, fatmirësisht, drejtor i Pallatit “Rinia” ishte Enver Plaku, që ishte amortizatori mes meje dhe Sigurimit të Shtetit. Ai i zgjidhte këto punët e mia të “pista”. Më ka ndihmuar shumë.

Ka ndikuar në jetën tuaj artistike apo personale fakti që xhaxhai ndodhej në burg si i burgosur politik?

Unë gjithnjë e kam marrë jetën me sportivitet, por mendoj se ka ndikuar. Mbaj mend, në vitin 1974, Fadil Hasa ishte sëmurë dhe do ta zëvendësoja unë. Bëhet fjalë për Estradën profesioniste. Unë mora rolin kryesor të këpucarit. Gjithçka shkoi shumë mirë për mua, por edhe si shfaqje. Por kur mbaroi shfaqja, më thanë që “ti ke xhaxhain në burg, prandaj nuk do të vazhdosh këtu në estradën profesioniste”. Pjesë e saj, unë u bëra vetëm në vitet ’89­’90, kur forca e komunizmit po venitej.

Keni nostalgji për Pallatin “Rinia”?

Kam shumë, sepse kontribuova për një kohë të gjatë në estradën amatore te Pallati “Rinia”. Kam punuar për një periudhë të gjatë, nga ’73­’86, në Pallatin e Rinisë, ku kam bashkëpunuar me aktorët e

humorit, si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Roland Koçi, Enver Likmeta, Gani Kalaja etj. Besoj se aty kam marrë ngrohtësinë më të madhe të publikut. Janë vite që nuk harrohen kurrë, prandaj ndiej nostalgji.

Pas kaq vitesh, e keni kuptuar se përse publiku ju donte aq shumë?

Çelësi i suksesit është humori popullor. Publiku pëlqen humorin popullor më shumë se humori që bëhet aktualisht, të cilin do ta konsideroja banal. Jeta e përditshme e popullit shqiptar, e kthyer në humor, pëlqehet nga të gjithë, sepse secili gjen edhe veten aty. Por është edhe puna e palodhur prej vitesh me radhë, prej më shumë se tri dekadash në skenë, e cila besoj se, në njëfarë mënyrë, është shpërblyer duke i pëlqyer publikut. Ky është qëllimi i një artisti. Unë e fus vetën tek artistët pa komplekse. Jeta ime e përditshme nuk ka ndryshuar kurrë në raport me shokët, të afërmit, familjarët dhe qytetarët. Mendoj se marrëdhënia ime me të tjerët ka qenë gjithmonë në nivele shumë të mira, qoftë kur nuk isha i njohur, ashtu edhe kur më njihnin të gjithë. Artisti duhet të jetë njeri pozitiv mbi të gjitha, dhe kjo ka më ka ndihmuar shumë që unë të shpërblehem për kontributin që kam dhënë për humorin durrsak dhe jo vetëm, duke fituar simpatinë e të gjithë shqiptarëve. Shumë ju njohin si Rrema i Durrësit.

Çfarë kënaqësie ju jep fakti që keni marrë mbiemrin e qytetit?

Do të thotë shumë për një artist që të mbajë si mbiemër emrin e qytetit të tij. Në fakt shumë humoristë, si Cekja, që njihet si Cekja i Beratit, apo edhe kolegë të tjerë, njihen me mbiemrin e qytetit. Nuk kam asnjë peng nga jeta, besoj se kam dhënë shumë dhe jam shpërblyer për atë që kam dhënë për humorin shqiptar. Është diçka e veçantë të të njohin me mbiemrin e qytetit.

Por ju nuk bëni humor vetëm në skenë, por edhe në jetën e përditshme…

Mua më pëlqen të shikoj njerëz të qeshur. Me cilindo që bashkëbisedoj, fus në bisedë copëza humori. Përpiqem t’i bëj të buzëqeshin. Më pëlqen kur njerëzit janë të lumtur.

Ju jeni një humorist që keni punuar në të dy sistemet, atë komunist dhe postkomunist. Si ndryshon raporti i humorit?

Ka ndryshim shumë të madh mes humorit që bëhet tani dhe atij të sistemit komunist. Tani humori është banal, ndërsa atëherë ka qenë popullor dhe shumë fin. Nuk ka të bëjë fare me censurën, por me regjisorët dhe aktorët që interpretojnë rolet në skenë. Personalisht nuk do të përshtatesha dot me humorin që vihet në skenë aktualisht, dhe nuk do të angazhohesha kurrë për të bërë një humor banal, sikurse bëhet tani.

Po sa i përket vlerësimit të artistëve në të dy sistemet…

Personalisht nuk kam asnjë problem për të dyja periudhat, sepse kam ndierë vlerësim si në atë sistem, ashtu edhe në këtë sot. Por në përgjithësi, kam përshtypjen se atëherë aktorët ishin më të vlerësuar.

Tani duket sikur nuk prodhohet më, atëherë sallat ishin plot dhe nuk kishte vende. Për artistin publiku është kryesori.

Si trajtohen artistët financiarisht?

Kjo pjesë nuk është në sinkron me të tjerat, sepse aktualisht artistët nuk paguhen mirë. Por, edhe pse nga ana ekonomike nuk jemi trajtuar mirë, për mua nuk ka pasur shumë rëndësi paraja. Vlerësimet që të bëjnë të tjerët kanë më shumë rëndësi se paraja për një artist. Këtë unë e kam arritur me sukses, ndihem i vlerësuar.

Z. Hoxha, keni dy çmime të mëdha në karrierën tuaj artistike dhe tani u nderuat edhe me çmimin “Mjeshtër i Madh” nga vetë Presidenti i Republikës, si ndjeheni pas marrjes së këtij titulli, kujt i jeni mirënjohës për këtë?

Është gëzim i madh për mua, por është gëzim i madh edhe për qytetin… Vërtet e mora çmimin, por puna ime nuk është individuale, ndaj dua të përgëzoj edhe një herë kolegët, regjisorët, skenaristët…

Ky çmim është për të gjithë. Edhe skenën ndaj e kanë bërë 9­metra, sepse ka vend për të gjithë. Gjithsekush ka hapësirën e vet dhe bën punën e vet, lum kush atë hapësirë e sheh me vëmendje dhe e vadit me djersë. Kujtoj dhe gjej rastin t’i falënderoj sërish kolegët e bashkudhëtarët e mi: Gjergj Vlashin, Enver Plakun, Pëllumb Kullën, Spiro Stratin, Ramazan Njalën, Aishe Starin, Sandër Pepën, Adem Gjipalin, Roland Koçën, po në veçanti regjisorin Haxhi Rama, i cili ka qenë kryesori për mua dhe Fadil Hasën, i cili më ka zbuluar i pari…Kam pasur fatin gjithashtu të punoj me Koço Devolen, apo edhe me Ceken. Ndërkohë që të rëndësishme kanë qenë bashkëpunimet me Teatrin e Elbasanit, apo Teatrin e Korçës, ku kujtoj bashkëpunimet me Zamira Kitën, Aleko e Alban Prodanin, Guri Koçon, apo kolegët e Shkodrës: Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drane Xhaji. Kam punuar edhe me regjisoren e re Driada Dervishin, apo Arjan Çuliqin në 7­8 kinokomedi. Për kolegët e Durrësit do ta mbyll me shprehjen: Më dhatë dorën, më afruat, dhe unë ju puth duart!

/Panorama/