30 nëntor 2015 – Kompania “Bankers Petroleum” kërcënon se do të ndërpresë prodhimin e naftës në Patos Marinzë, nëse qeveria nuk zbaton urdhrin e Gjykatës së Arbitrazhit për zhbllokimin e llogarive nga Drejtoria e Tatimeve.

Përmes një njoftim zyrtar, grupi kanadez i nxjerrjes së naftës ka deklaruar se do të presë deri ditën e mërkurë, dhe më pas do të ndërpresë plotësisht aktivitetin e prodhimit deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Për shkak të bllokimit të llogarive nga Tatimet, “Bankers” thotë se është vënë në vështirësi për të financuar operacionet e saj.  Javën e kaluar ajo eksportoi vetëm 85 për qind të sasisë së prodhuar, pasi nuk mund të financonte më tepër për shkak të ngërçit të krijuar.

Drejtoria e Tatimeve bllokoi llogaritë e “Bankers Petroleum” për të mbledhur me forcë 75 milionë dollarë taksa, që kompania pretendohet se i ka shmangur. Por, megjithëse Gjykata e Arbitrazhit i dha të drejtë “Bankers Petroleum” dhe urdhëroi zhbllokimin e llogarive, kompania në fjalë thotë që shteti shqiptar nuk po e zbaton këtë urdhër. 

/portali DurresLajm/