Princi Harry tashmë është kthyer në atdheun e tij për të marrë pjesë në varrimin e gjyshit, Princit Philip , të shtunën më 17 prill. Ai do të jetë kështu pranë babait dhe vëllait të tij pas një kohe të gjatë larg tyre.

Ribashkimi i familjes me rastin e varrimit të Dukës së Edinburgut komentohet gjerësisht sot nga shtypi britanik, duke vënë në dukje se dy vëllezërit, Princi Harry dhe Princi William do të qëndrojnë pas arkivolit të gjyshit të tyre për ta përcjellë për në banesën e fundit.

Sipas mediave britanike, fluturimi i British Airways nga Los Angeles, i cili transportonte Dukën e Sussex, u ul në Aeroportin Heathrow të Londrës dje.

Të shtunën, Buckingham konfirmoi se Princi Harry do të kthehej në Britani nga Shtetet e Bashkuara, ku banon me gruan e tij shtatzënë, Megan Markle dhe djalin e tyre, Archie.

Dukesha e Sussex nuk udhëtoi me të, pasi mjeku i saj nuk e lejoi, meqë është në muajt e fundit të shtatzënisë. Sipas faqes zyrtare të qeverisë së Londrës, ata që mbërrijnë në Britani nga vendet e huaja duhet të izolohen për 10 ditë.

Megjithatë, para se të largohej nga SHBA dhe të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar, Harry u testua për Covid.