Pandemia i përkeqësoi treguesit e zhvillimit njerëzor kudo në botë, por në Shqipëri, ashpërsia e dëmit po vjen më e fortë. Rritja e vdekjeve ishte më e larta në Europë, duke shënuar rekord në 30 vjet, ndërsa për herë të parë që nga viti 1923, shtesa natyrore e popullsisë shkoi afër zeros më 2020. Sëmundshmëria në popullatë po rritet si rrjedhojë e efekteve zinxhir të COVID-19 dhe cilësia arsimore ka rënë për 63% të nxënësve nga mbyllja gati 6-mujore e shkollave. Lindshmëria pritet të vijë në ulje. Një valë e re emigracioni rrezikon të ndodhë në vitet në vijim, nga përkeqësimi i kushteve ekonomike. Ekspertët rekomandojnë si zgjidhje shfrytëzimin e dividentit demografik, mosha e artë e popullsisë që vendi po kalon aktualisht. Kjo mundësi vjen 1 herë në 100 vjet
Pandemia COVID-19 do të mbahet mend në histori si një ndër krizat unike për nga dëmet që i ka krijuar kapitalit njerëzor. Goditja e shumëfishtë, erdhi e drejtpërdrejtë, duke cenuar jetën dhe cilësinë e saj në të gjithë dimensionet e ekzistencës, anën psikologjike, ekonomike etj.
Shqipëria, si një nga vendet më të varfra në Europë dhe me humbjet më të mëdha njerëzore nga pandemia gjatë mars 2020-mars 2021 (rritja më e lartë e vdekjeve në Europë, në krahasim me mesataren e 2016-2019) duket se do të vuajë pasojat më të mëdha. Zhvillimet demografike të vendit që kishin nisur tronditjen para pandemisë, prej uljes së lindjeve dhe emigracionit të lartë do të përkeqësohen më tej. Cilësia e jetës do të jetë nën presionin e rritjes së sëmundshmërisë, deficencave në arsim dhe rikuperimit të vështirë ekonomik.
Profesor Novruz Koçi, lektor në Universitetin Luarasi, ekspert i njohur i statistikave në vend, thotë se rimëkëmbja duhet të vijë, duke shfrytëzuar dividendin demografik të vendit. Për dy dekadat në vijim, popullsia në moshë pune e Shqipërisë do të jetë më e lartë se grupet e tjera që nuk punojnë (popullsia deri në 15 vjeç dhe ajo mbi 65 vjeç). Kjo quhet periudha e artë demografike që krijon dritaren e mundësive që zakonisht ndodh një herë në 100 vjet. Lindshmëria e lartë para 30 vjetësh dhe rënia e lindjeve aktualisht rriti ofertën e popullsisë aktive për punë dhe nga ana tjetër, ul ngarkesën e shpenzimeve që krijon rritja e fëmijëve.
Familjet më të vogla në numër, ku shumica punojnë, i japin një vrull produktivitetit, pasurisë, kursimeve dhe rritjes ekonomike. Aktualisht, Shqipëria është duke përjetuar dividendin e saj demografik, por qeveria duhet të ndërtojë politika që të përfitojë. Koçi referoi se arsimi, edukimi dhe profesionalizimi i forcës së punës i bën më të mëdha përfitimet nga mosha e “artë” e popullsisë.
COVID-19 po rrit sëmundshmërinë e popullatës
Teksa të gjitha energjitë e sistemit shëndetësor janë kanalizuar drejt përballimit të pandemisë COVID-19, sëmundjet e tjera nuk kanë bërë pushim. Leonard Solis, ekspert i politikave shëndetësore, aktualisht Drejtor Mjekësor në Spitalin Amerikan, thotë se, pandemia COVID-19 po bëhet shkak për rritjen e sëmundshmërisë.
Aksesi i pacientëve të zakonshëm ndaj strukturave shëndetësore ka rënie të ndjeshme. Konsultat dhe vizitat bëhen tashmë jo në bazë të planifikimeve, por vetëm kur shndërrohen në emergjenca. Fenomeni, që është i përbotshëm, për zotin Solis është shkaktar edhe për një pjesë të vdekjeve shtesë që ndodhën gjatë pandemisë në vendin tonë. Ai tha se, sëmundjet primare janë përkeqësuar më tej gjatë pandemisë nga mungesa e trajtimit në kohë, duke lajmëruar fatalitete që mund të ishin shmangur në të ardhmen.
Zoti Solis shpjegoi se, pandemia ka thithur shumë energji të strukturave spitalore, si në burime njerëzore, në infrastrukturë dhe në financa, dhe ka krijuar keqshpërndarje të burimeve dhe ulje të rendimentit në monitorim. Strukturat shëndetësore po japin sinjalet e para të rritjes së sëmundshmërisë post-COVID. Pavijoni i Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” ka nisur të mbushet me fëmijë që po shfaqin çrregullime të shëndetit të krijuara nga COVID-19.
Bashkim Neza, mjek në këtë pavijon thotë se, po shtohen rastet e moshave pediatrike me komplikacione inflamatore të shfaqura në shumë sisteme trupore njëherazi. Disa prej tyre po marrin shërbim reanimator dhe shumë prej tyre kishin kaluar Sars-Cov 2 pa qenë në dijeni. Në poliklinikën e specializuar për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive në Tiranë rastet për trajtim post-COVID janë shtuar. “Në shumë prej të prekurve, virusi ka lënë pasoja të përhershme, me deficenca dhe fibroza në mushkëri. Personat që e kanë kaluar COVID-19 me simptoma të rënda po shndërrohen në të sëmurë kronikë” – tha Silvana Sadriaj, mjeke nga Poliklinika e Mushkërive në Tiranë.
Popullsia e Shqipërisë, e përfshirë në procesin e plakjes dhe rënies së lindshmërisë, po përjetonte një barrë sëmundjesh në rritje edhe para pandemisë. Diagnozat kardiovaskulare, tumorale dhe ato kronike e kanë renditur Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në rajon për 2019, sipas të dhënave globale nga “health data”. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2019 me rreth 80%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja.
Pandemia e koronavirusit pritet t’i përkeqësojë këto trende sidomos në periudhën afatmesme. Në kushtet kur pandemia ka gjeneruar krizë ekonomike, burimet financiare do të jenë më të kufizuara për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për shërbime shëndetësore. Zhvillimet pandemike lajmërojnë rënie të cilësisë së shëndetit në popullatë, çka pritet të ndikojë negativisht jetëgjatësinë në vend dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Burimet ekonomike si të qeverisë dhe të familjeve në periudhën afatmesme do të kanalizohen për trajtimin e shqetësimeve shëndetësore, thonë ekspertët e fushës.
Pandemia shuan shtesën e popullsisë së vendit
Në vitin 2020, shtesa natyrore e popullsisë shënoi pothuajse nivelin zero me vetëm 470 lindje më shumë se vdekjet. Për herë të parë që nga 1923, kur ekzistojnë të dhënat zyrtare për regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë, shtesa natyrore e vendit pushoi së rrituri. Nga viti 1923 deri në vitin 2019, vit pas viti, lindjet kanë qenë shumë më të larta se vdekjet. Ndonëse emigracioni ka ndikuar negativisht në tkurrjen e popullsisë banuese në Shqipëri, sërish ky kontingjent mund të konsiderohet rezervë, pasi ekziston gjithmonë mundësia e rikthimit të tyre, por kur lindjet janë më të ulëta se vdekjet, popullsia e një vendi hyn në rënie pa kthim.
Në vitin 2020, shtesa natyrore e vendit është thuajse zero nga më shumë se 6000 persona në vitin 2019, rreth 15 mijë në vitin 2014, mbi 34 mijë në vitin 2000 dhe mbi 63 mijë në vitin 1990. Ky është niveli më i ulët i shtesës natyrore të popullsisë, së paku që nga 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas të dhënave të INSTAT.
Por të dhënat më të hershme, por jo të grupuara vit pas viti, tregojnë se Shqipëria ka shtesën natyrore të popullsisë në nivelin më të ulët që nga viti 1923, që kur ka nisur regjistrimi, pasi shtesa e popullsisë gjatë viteve 1923-1945, sipas të dhënave zyrtare, ishte mesatarisht mbi 18 mijë persona në vit. Që prej kulmimit, në fillim të viteve ’90, shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke reflektuar rritjen e moshës mesatare të popullsisë, nivelin e lartë të emigracionit, zvogëlimin e familjeve dhe rënien e fertilitetit (aktualisht rreth 1.35 lindje për grua, ndër më të ulëtat në Europë). Pandemia COVID e përkeqësoi situatën, pasi ndikoi në një rritje të pazakontë të vdekjeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana ishte qarku me shtesën më të lartë natyrore të popullsisë në vitin 2020, ku numri i lindjeve ishte 2258 persona më i lartë se ai i vdekjeve. Ndërsa në anën tjetër, Korça ishte qarku që shënoi rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë, ku numri i vdekjeve në vitin 2020 ishte 883, më i lartë se ai i lindjeve. Vetëm Tirana, Dibra, Durrësi dhe Kukësi kishin rritje natyrore të popullsisë, ndërsa Elbasani, Lezha, Berati, Gjirokastra, Shkodra, Vlora, Fieri dhe Korça që të gjitha shënuan rënie natyrore të popullsisë më 2020.
Në vitin 2020, pasi vdekjet në shkallë vendi u rritën me rreth 26%, kurse lindjet shënuan rënie me 1.7%. Në vitin 1990, shtesa natyrore ishte 64 mijë persona në vit, ose gati 137 herë më e lartë se në vitin 2020.
Profesor Nevruz Koçi tha se, aktualisht Shqipëria po kalon fazën e tretë të tranzicionit demografik. Faza e parë e tranzicionit në Shqipëri, sipas tij, mund të konsiderohet periudha 1920-1950, që zgjati rreth 30 vjet. Gjatë saj, koeficientët e shtesës natyrore të popullsisë u rritën. Ritmi mesatar vjetor i rritjes së popullsisë për këtë periudhë ka qenë rreth 1,7%. Faza e dytë përfshin periudhën 1950-1970, kur koeficientët e vdekjeve ulen në mënyrë sistematike dhe koeficientët e lindshmërisë, megjithëse kanë filluar të ulen, përsëri vazhdojnë të jenë në nivele të larta. Në këtë fazë, koeficienti vjetor i rritjes së popullsisë ka qenë 2,96%.
Faza e tretë përfshin periudhën 1970-2015. Pas viteve 1970 koeficientët e lindjeve dhe të vdekjeve janë ulur vazhdimisht, pothuajse pa rimarrje të vlerave të tyre. Në 10-vjeçarin 1970-1980, ritmi mesatar vjetor i rritjes së popullsisë u ul në 2.5% dhe në vitet 1980-1990, ai ra në 2.1%. Pas viteve 1990, rritja e popullsisë është e ulët, pasi lindjet janë tkurrur shumë në krahasim me vitet e mëparshme. Po t’i shtojmë kësaj edhe emigrimet masive, në këtë periudhë, kemi pasur edhe ulje të numrit të popullsisë nga viti në vit.
Koçi përllogarit se ritmi mesatar vjetor i rritjes së popullsisë ka qenë rreth 1%. Popullsia e Shqipërisë për rreth 90 vjet tranzicion demografik u rrit 4 herë, ndërkohë që popullsia e Meksikës, për 80 vjet tranzicion demografik u rrit 7 herë, ndërsa popullsia e Suedisë për 150 vjet tranzicion është rritur 3,8 herë. Pjesa më e madhe e vendeve të Europës kanë një problem të përbashkët, një popullsi që po plaket. Sipas studimeve, gjatë 40 viteve të ardhshme, përqindja e popullsisë 65 vjeç e më shumë do të rritet nga 12 deri në 22%.
Lindjet në rënie, pandemia e nxit më tej
Në klinikat gjinekologjike dhe maternitete, konsultat për të lindur fëmijë kanë rënë dukshëm. Kufizimet në lëvizje, përkeqësimi i situatës ekonomike dhe frika se shtatzënia do të dëmtohet nga pandemia kanë shtyrë planet për fëmijë. Të njëjtat burime thonë se abortet për shkak të COVID janë rritur. Ka pasur raste, ku Sars-Cov-2 ka shkaktuar abort edhe tek gra që kanë shfaqur simptoma të lehta.
Afërdita Kruja, mjeke pranë Spitalit Amerikan 2 thotë se tendenca për shtyrjen e planifikimeve familjare vihet re te shumë çifte. “Disa çifte po hezitojnë për nisje të shtatzënisë, për disa arsye. Së pari, shumë prej tyre presin të vaksinohen dhe më pas të nisin një shtatzëni të mbarë dhe lindje të shëndetshme të fëmijës. Gratë shtatzëna që mund të preken nga COVID-19, mund ta kalojnë me simptoma më të rënda, pasi gjatë shtatzënisë, nganjëherë, ka tendencë për fenomene trombotike, të cilat shpeshherë shfaqen edhe tek COVID – 19”.- tha zonja Kruja. Pandemia gjithashtu ka shtuar komplikacionet për gratë shtatzëna.
“Ne kemi hasur raste të shumta të atyre që janë prekur nga COVID-19 dhe kanë pasur një shtatzëni të mbarë, por kemi pasur edhe ndonjë lindje premature. Është vënë re shtimi i rasteve të ndërprerjeve të shtatzënisë, të cilat nisin shumë mirë, por nuk përfundojnë. Ende nuk kemi studime të mirëfillta që shkak i kësaj është COVID-19, pasi shumë prej tyre kanë kaluar virusin pa simptoma klasike, pa e kuptuar fare. Për të gjitha këto raste, mendoj se duhet të kalojnë të paktën 5 – 10 vjet për të arritur në një konkluzion të mirëfilltë shkencor mbi efektet e virusit të shtatzënitë”, pohoi znj. Kruja.
Në vitin 2020 lindën 28.075 foshnja, duke shënuar rënie me 1,7%, krahasuar me një vit më parë. Për tremujorin e katërt 2020 është 7.011, duke shënuar një rënie me 11,4%, krahasuar me tremujorin e katërt 2019. Për lindshmërinë, mjekja gjinekologe Kruja tha se nuk ka ndryshuar krahasuar me periudhë normaliteti. “Do të duhet të paktën edhe një vit që të shihet nëse do të ketë reflektime të pandemisë te lindshmëria.
Studime ndërkombëtare kanë gjetur se virusi Sars-Cov-2 cenon normat e fertilitetit në dy drejtime. Së pari, burrat që e kanë kaluar me simptoma të rënda kanë gjasa të kenë probleme me pjellorinë në periudhë afatshkurtër, ndërsa gratë shtatzëna me virus kanë bërë lindje para kohe, ose më shumë aborte se gratë shtatzëna që nuk e kishin kaluar virusin.
Një studim i ri që u botua së fundmi në revistën “Reproduccion”, shkruante se “rastet e rënda të COVID-19 mund të ndikojnë në cilësinë riprodhuese të burrave. Studimi ofroi provat e para të drejtpërdrejta deri më tani se infeksioni COVID-19 dëmton edhe potencialin riprodhues të meshkujve” – tha studimi. Një studim i marsit 2021, që u publikua nga revista e Shoqatës Britanike të Mjekëve vërtetoi se gratë shtatzëna me COVID-19, shfaqën më shumë komplikacione se rastet pa COVID-19.
U analizuan 192 studime me 64,676 gra shtatzëna me COVID-19 dhe 569,981 gra jo-shtatzëna me COVID-19. Rezultatet treguan se gratë shtatzëna kishin më shumë nevojë për trajtim të kujdesit intensiv për COVID-19 krahasuar me gratë jo-shtatzënë të moshës riprodhuese. Studimi evidentoi se, gratë shtatzëna me COVID-19 kishin më shumë të ngjarë të lindnin para kohe, krahasuar me gratë shtatzëna pa COVID-19. Bebet e lindura nga nënat me COVID-19 kishin më shumë nevojë për një kujdes intensiv pas lindjes.
Para pandemisë, Shqipëria po përjetonte rënie të shpejtë të lindjeve. Gjatë periudhës 2011 – 2020, lindjet në shkallë kombëtare kanë rënë me 18%. Nga 34,285 bebe të lindura më 2011, në vitin 2020 lindën 28,075. Qarku i Kukësit shënoi rënien më të madhe në shkallë vendi. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në Prefekturën Verilindore lindshmëria shënoi rënie me 37.8%.
Pas Kukësit, rënien më të madhe të lindshmërisë në dekadën e fundit e shënoi Qarku i Beratit me 34.3%. Gjirokastra renditet e treta për rënien e madhe të lindshmërisë me 32.2% dhe më pas Vlora, me mbi 31% për të njëjtën periudhë. Në të kundërt, rënien më të ulët të lindjeve e kishin Tirana dhe Durrësi, përkatësisht me -1.6 dhe -12.0%. Këto dy qarqe, edhe pse me rënie të lindjeve, kanë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, për shkak të zhvendosjeve nga rrethet e tjera drejt tyre.
Si pasojë e situatës, zhvillimet demografike janë duke u zhvilluar sipas skenarëve pesimistë të projeksioneve të popullsisë. Sipas rishikimit të fundit që i takon periudhës 2019-2031, në skenarin pesimist, indeksi i fertilitetit për një grua në vitin 2019 ishte 1.36 njësoj si në skenarin pësimit, por në të ardhmen, treguesi mund të përkeqësohet përtej këtij skenari, për shkak se anketat e tërthorta tregojnë se emigracioni në dekadën e fundit ka qenë më i lartë se pritshmëritë.
Vendet e Europës Lindore përjetuan rënie të lindshmërisë gjatë viteve 1990 dhe 2000, ku Indeksi Sintetik i Fekondimit (ISF) arriti në nivele shumë të ulëta. Rastet më ekstreme janë ato të Bullgarisë (1,09 fëmijë për grua) dhe të Republikës Çeke (1,13 fëmijë për grua), për pjesën tjetër të vendeve të Europës Lindore, ISF arriti minimumin, rreth vlerës 1,2 lindje për grua. Në hipotezën e lindshmërisë së ulët në Shqipëri mendohet që ISF do të arrijë nivelin 1,2 në vitin 2031, por zhvillimet reale po tregojnë se ky nivel do të arrihet para këtij viti.
Fatalitetet do të rriten
Në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me rritje prej 26.4%, në krahasim me mesataren e 2016-2019, duke shënuar dhe nivelin më të lartë historik të jetëve të humbura në një vit. Fatalitetet në vitin 2020 ishin në nivelin më të lartë të tri dekadave të fundit, e nxitur kryesisht nga pandemia COVID-19. Të dhënat paraprake nga Gjendja Civile, tregojnë se nga marsi i vitit 2020, deri në shkurt të vitit 2021 janë rreth 8,500 vdekje më shumë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej rreth 39%, në raport me të njëjtat periudha të vitit paraardhës.
Popullsia e Shqipërisë në vitin 1990 ishte 3.2 milionë banorë, ndërsa në të njëjtin vit humbën jetën pak më shumë se 18 mijë persona. Në vitin 2020, popullsia e vendit numëron pak më shumë se 2.7 milionë banorë (shifra reale është edhe më e ulët, mbi 350 mijë persona kanë emigruar sipas anketës së INSTAT) ndërsa falalitetet ishin mbi 21 mijë e 600 persona. Edhe në vitin 2019, kur ende nuk kishte nisur pandemia, fatalitetet ishin më të larta së në vitin 1990, kur popullsia ishte së paku, 1.6 milionë banorë më shumë.
Rritja e vdekshmërisë në raport me popullsinë totale në vend, sipas demografëve, lidhet me ndryshimin e strukturës së popullsisë nga emigracioni dhe plakja. Në vitin 2005, në të gjithë vendin, kishte vetëm 40 mijë persona mbi 80 vjeç, ndërsa në vitin 2020, numri i tyre kaloi mbi 80 mijë dhe në vitin 2031 parashikohet që popullsia mbi 80 vjeç të arrijë në mbi 130 mijë. Një popullsi më e plakur reflekton më shumë fatalitete se sa një popullsi e re në moshë. Gjithashtu, nga viti 1990 në vitin 2020, sëmundshmëria në popullatë, për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës, është rritur. Diabeti, infarktet dhe kanceri deri para 1990 ishin sëmundje të rralla, por tani ato janë shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vend. Pandemia do ta çojë më tej këtë fenomen.
Të dhënat nga Eurostat, INSTAT dhe institutet statistikore të rajonit, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se në vitin 2020, Shqipëria shënoi rritjen më lartë të vdekjeve në Europë, në krahasim me mesataren e 2016-2019. Shteti i dytë në Europë, me rritjen më të lartë të fataliteteve është Maqedonia, me 22.5%.
Në Bashkimin Europian, rekordin për rritjen e fataliteteve e mban Polonia, me një rritje prej 20.7% dhe Spanja me 20.3%, e Sllovenia me 19.9%, e ndjekur nga Çekia me 18.7%. Vdekshmëria u rrit e nxitur nga faktorët e drejtpërdrejtë të pandemisë dhe efektet zinxhir që dha në mostrajtimin e sëmundjeve të tjera, tha Leonard Solis.
Ilir Allkja, ish-mjek i Urgjencës Kombëtare, tha se rritja e vdekjeve gjatë vitit 2020 e në vazhdim është e lidhur qartë me infeksionin e COVID-19. Sipas tij, vdekshmëria në vend ishte e lartë për shkak të numrit të ulët të mjekëve për banorë dhe infrastrukturës së dobët spitalore.
“Së pari, Shqipëria nuk ka një sistem solid shëndetësor, përkundrazi ka një sistem anemik, me mungesa të shumta në mjete e burime njerëzore. Nuk është sekret që ne kemi spitale të papajisura, si dhe numër mjekësh të ulët për 1000 banorë. Ne kemi rreth 1.1 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që Bonjë-Hercegovina ka 2.9 mjekë/1000 banorë, ndërsa Serbia ka 3.4 mjekë/1000 banorë dhe as krahasohemi dot me Greqinë, e cila ka 5.6 mjekë për 1000 banorë.
-Së dyti, fokusi kryesor në fillim të epidemisë u zbatua në drejtim të të infektuarve me COVID-19, ndërkohë që të sëmurë kardiakë, me tumore apo probleme të tjera u lanë pas dore. Në muajt mars, prill e maj të vitit 2020, pothuajse nuk funksionuan konsultat përkatëse në QSUT.
-Së treti, ne kemi humbjet më të larta të jetës në spitalet COVID, në dhomat e terapisë intensive, si dhe në intubim. Kjo vërteton se pajisja e këtyre spitaleve me mjete jetëshpëtuese, si dhe trajnimi i stafeve të tyre lë për të dëshiruar e nuk është aspak sikundër ka deklaruar kryeministri i vendit, duke e renditur gjendjen e spitaleve tona të njëjtë me spitalet franceze, gjermane etj. “Ne kemi numër tejet të ulët të mjekëve e infermierëve për shtrat spitali, mjafton të shihni të dhënat në Eurostat, për të kuptuar që kemi një sistem shëndetësor me standarde afrikane”, përfundon Allkja.
Valë e re emigracioni
Kriza pandemike ka marrë dimensionin e një krize ekonomike, kudo në botë, por në Shqipëri ndikimi kanë qenë mw i mprehtë. Ekonomia shqiptarë me një varësi të lartë nga turizmi dhe shërbimet pritët të shënojë rënie me 5% këtë vit dhe rikuperimi nuk pritet të ndodhë përgjatë dy viteve në vijim. Krizat ekonomike shkaktojnë valë emigracioni. Ilir Gedëshi, ekspert i njohur i çështjeve të emigracionit, tha se krizat ekonomike në Shqipëri kanë pasuar me valë emigracioni. Krizat e vitit 1990, 1997, 2008 e kanë vërtetuar këtë fakt. Edhe kriza pandemike, sipas zotit Gëdeshi, rrezikon të përshkallëzojë emigracionin në vend.
Në vitet e ardshme, pritet që fenomeni të përkeqësohet pasi do të tentojnë të ikë pjesa që kishte planifikuar dhe nuk emigroi gjatë pandemisë. Përkeqësimi i kushteve të ekonomisë mund të nxisë të tjerë emigrantë që para pandemisë nuk kishin planifikuar të largoheshin, tha zoti Gëdeshi. Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se kriza e pandemisë ka kthyer tendencat e vjetra të emigracionit. Në planin afatshkurtër, pandemia mbylli kufijtë dhe kufizoi udhëtimet, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të emigrimit. Sidoqoftë, goditjet që pandemia ka dhënë në ekonominë e vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim lajmërojnë valë të reja emigracioni. Ekspertët ndërkombëtarë lajmërojnë se vala e emigrimit ndodh dy ose tre vjet pas krizave që tronditin jetën e njerëzve.
Shkalla e emigrimit pas vitit 1990, në raport me popullsinë shqiptare, ka qenë më e larta në Europë dhe një nga më të lartat në botë. Sipas të dhënave të INSTAT nga 1990-219 stoku i emigrantëve jashtë vendit kanë arritur në 1.6 milionë persona, ose 59% e popullsisë banuese në vend. Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar më 2019 nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë banuese e vitit 2011, ose mbi 360 mijë persona. Tirana kishte me emigrimin më të madh të familjeve, ndërsa Shkodra, Fieri, Durrësi, me humbjet më të mëdha të popullsisë.
Arsimi, humbjet të pallogaritshme
Një vit pasi pandemia nisi më shumë se gjyma e nxënësve kudo në botë po përballen me ndërprerje të konsiderueshme të arsimimit të tyre. Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, (UNESCO) monitoroi mbylljen e shkollave kudo në botë.
Harta tregon se shkollat ishin mbyllur plotësisht për një mesatare prej 3.5 muajsh (14 javë) që nga fillimi i pandemisë. Kjo shifër rritet në 5.5 muaj (22 javë), ekuivalente me dy të tretat e një viti akademik – kur merren parasysh mbylljet e lokalizuara të shkollave. Harta e UNESCO-s tregon se në Shqipëri, shkollat janë mbyllur për rreth 24 javë e barabartë me 6 muaj.
Mbylljet e zgjatura dhe të përsëritura të institucioneve arsimore po sjellin një dëm psiko-social në rritje për nxënësit, vlerëson UNESCO. Humbjet e arsimore dhe rreziku i braktisjes do të prekin më shumë nxënësit në familjet e varfra dhe pabarazia arsimore do të rritet
Të dhënat e UNESCO-s tregojnë se mbështetja e arsimin do të ulet me 12% si rezultat i pandemisë. Hendeku i financimit për arsimin do të bjerë me një të tretën deri në 200 miliardë dollarë në vit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Banka Botërore përllogariti së fundmi se, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore.
Këto vështirësi janë krijuar nga të mësuarit online. Shumë nxënës në vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk kanë qasje në internet dhe nuk kanë platforma efikase të të mësuarit online. Për rrjedhojë, më shumë se 60% e nxënësve kanë humbur mundësitë për të përfituar njohuritë sipas programeve dhe kurrikulave mësimore. Në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, 53% e të gjithë fëmijëve 10 vjeç nuk mund të lexonin dhe kuptonin një tekst të thjeshtë edhe para pandemisë. COVID-19 e ka përkeqësuar krizën e të mësuarit dhe ndikimi në kapitalin njerëzor të këtij brezi nxënësish ka të ngjarë të jetë i gjatë. /Monitor