Një grua mbeti e vdekur dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm me thikë në një bibliotekë publike në periferi të qytetit kanadez të Vankuverit të shtunën.
Incidenti ndodhi në orët e pasdites dhe hetuesit kanë bërë thirrje për paraqitjen e dëshmitarëve, sidomos të atyre që kanë regjistruar ngjarjen me video dhe më pas e kanë postuar në median sociale.
“Kemi gjashtë persona me plagë thike. Një prej tyre, fatkeqësisht humbi jetën nga plagët. Besojmë se personi i ndaluar ishte autori i sulmit. Pa dyshim duam të dimë shkakun”, tha togeri i policisë, Frank Jang në një konferencë për shtyp të transmetuar nga televizioni kanadez.





