Princi Albert i Monakos ka kritikuar intervistën shpërthyese që Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, dhanë për Oprah Winfrey, duke e quajtur atë të papërshtatshme.
“Në vend që të ndanin publikisht pakënaqësinë e tyre, Sussex-ët duhet të kishin folur për këtë në intimitetin e familjes”, u shpreh princi.
Duke folur me BBC, Princi Albert theksoi se e kuptonte presionin të cilit iu nënshtrua çifti, por “nuk kishte nevojë të shpërthenin në atë mënyrë”.
“Më shqetësoi pak. Mendoj se nuk ishte vendi i duhur për të zhvilluar këtë lloj diskutimi”, vazhdon më tej ai.
Përsa i përket jetës së re të Harry-t, ai pritet të fillojë punë në Silicon Valley për një kompani start-up BetterUp, me vlerë mbi 1 miliard dollarë, aktive në trajnime dhe këshillime profesionale për mirëqenien psikologjike në vendin e punës.





