TIRANE, 19 mars 2013-Komisioni i Ligjeve kalon me konsensus projektligjin për marrëveshjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për projektin TAP.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë është shprehur se projekti TAP është me rëndësi për gazifikimin e Shqipërisë.
“Me këtë projekt përmbushim detyrimet ndaj marrëveshjeve të nënshkruara” theksoi përfaqësuesi i METE-s ndërsa shtoi se projekti në muajin prill do të shkojë në Këshillin Kombëtar të Territorit.
Shqipëria, Greqia dhe Italia nënshkruan vitin e kaluar marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit ‘Trans Adriatik’.
Kjo marreveshje mundëson bashkëpunimin ndërmjet tre vendeve për realizimin e projektit që nëse fiton ndaj rivalit Nabuko shndërron Shqipërinë në nyje strategjike të transportit të gazit natyror nga Kaspiku, në Evropën Perëndimore.
Në Shqipëri projekti parashikon shtrirjen në një gjatësi prej 140 km, me një shumë investimesh prej rreth 2 miliardë dollarësh.