TIRANE, 19 mars 2013– Baritoni durrsak i njohur në skenat italiane dhe europiane rrëfen për vështirësinë e rolit në operan "Ali Pashë Von Janina" e kompozitorit gjerman, Albert Lorcing. "Një pjesë e ekzistencës sime, të cilën duket sikur e kam lënë këtu për t'u rikthyer herë pas here, rimarrë e përkëdhelur me dashuri, pasi është mbase pjesa më e bukur e vetes sime". Kështu i përgjigjet Gëzim Myshketa, pyetjes "Për çfarë ju merr malli kur nuk jeni në Shqipëri?". Ajo, duket të jetë fraza më e bukur që mund të thotë një artist shqiptar, që emrin e madh e ka fituar jashtë vendit të tij. I thjeshtë dhe modest, baritoni të rikujton edhe njëherë, se vlerat kanë ende vendin e tyre e se padyshim, pasuria më e madhe e njerëzimit është vetë njeriu. I ardhur për operën "Ali Pascha von Janina", ku do të ketë rolin kryesor, Myshketa i mungonte skenës sonë prej vitit 2007. E megjithatë, ai në fillim ka hezituar! I është dashur të vërë në peshore rrezikun e realizimit si duhet përkundrejt dëshirës së mishërimit të rolit. Sa i takon këtij të fundit, baritoni, thotë se misioni i tij i parë në përballimin e këtij personazhi do të jetë përpjekja për të mos e shndërruar kurrsesi në një "karikaturë" të asaj që mendimi kolektiv ka në psikikën e tij. Në një intervistë, ai rrëfen disa detaje nga puna dhe ndjesitë e rikthimit në atdhe. Opera "Ali Pascha von Janina" vihet ne skenë në datat 23-24-26-27 mars 2013, ora 19.00.
Sa kohë keni pa interpretuar në Tiranë?
Hera e fundit që kam pasur kënaqësinë të interpretoj për publikun shqiptar ka qenë viti 2007. Interpretoja rolin e Toreros Escamillo në operën "Carmen" të Bizet, me kolegen dhe miken time të dashur Vikena Kamenica. Regjisore e asaj shfaqjeje ishte e mirënjohura ndërkombëtarisht Patricia Panton, e cila do të vërë në skenë edhe operën "Ali Pascha Von Janina".
Çfarë ju kujtojnë këto ditë rikthimi?
Më kujtojnë që, megjithëse kam 13 vjet jashtë Shqipërisë, mjaftojnë vetëm pak orë qëndrimi këtu dhe unë memitizohem me atë atmosferë e kulturë shqiptare që nuk munda ta harroj e tradhtoj kurrë.
Kush është Ali Pasha që vini ju në skenë?
Misioni im i parë në përballimin e këtij personazhi do të jetë përpjekja për të mos e shndërruar kurrsesi në një "karikaturë" të asaj që mendimi kolektiv ka në psikikën e tij. Ali Pasha nuk ka lindur plak e me mjekër një metër të gjatë. Është një personazh multidimensional dhe kompleks. Forcën, karakterin, autoritetin, si dhe botën psikike, personazhi do ta gjejë duke respektuar aksentet muzikore dhe rëndësinë e fjalës që vepra i jep fort mirë.
Si ndiheni ju me këtë rol?
Ndihem mjaft mirë, pasi ndodh rrallë herë që interpretuesi ta njohë personazhin të cilit do t'i japë jetë, më mirë se vetë krijuesi i muzikës dhe libretit, Albert Lortzing në këtë rast. Kam një grup kolegësh mjaft të mirë, të rinj me talent e plot pasion, që nën bekimin e një katërsheje klasi: Ciko-Panton-Bardhi-At Nikolla, do t'i japin lustër këtij spektakli që do ta quaja unik.
Pse e pranuat rolin, kishit hezitime?
Kam pasur mjaft hezitime dhe një letërkëmbim goxha të dendur me maestro Cikon. Pikërisht rreziku për të nxjerrë një Ali Pashë gjysmak dhe për të rënë në retorikën e përhershme interpretative, ishin gjerat që më shqetësonin më tepër. Tani idetë janë të qarta, zgjedhjet të duhura, rruga për të shkelur, e drejtë. Atë çka mbetet, do ta vendosë publiku në sallë…
Çfarë gjetët ndryshe nga ç'prisnit në opera?
Kushtet e punës dhe profesionalizmin e solistëve dhe masave. I kam gjetur me mjaft kënaqësi, të ndryshuar në mënyrë pozitive.
Si ndihet Gëzimi në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në krahasim me teatrot e tjerë ku ka interpretuar?
Rregulli, oraret, organizimi, si dhe kushtet e punës, kuptohet që në teatrot jashtë shtetit janë optimalë. Mirëpo ngrohtësia që të jep puna me bashkëkombësit e tu, nuk ka çmim. Çdo artist shqiptar duhet të ketë për mendimin tim, kënaqësinë, por edhe obligimin moral që të kthejë në vlerë artistike atë ç'ka marrë nga kjo tokë e bekuar.
Për çfarë ju merr malli kur nuk jeni?
Një pjesë e ekzistencës sime, të cilën duket sikur e kam lënë këtu, për t'u rikthyer herë pas here, rimarrë e përkëdhelur me dashuri, pasi është mbase pjesa më e bukur e vetes sime.
Sa e ka ndryshuar Gëzimin suksesi në teatrot me emër?
Kam mbetur po ai ëndërrimtar i pashërueshëm, impulsiv e hatërli i pandreqshëm.
/f.n. Gazeta Shqiptare/