TIRANE, 18 mars 2013- Hapet në Tiranë Dhoma Izraelite e Tregtisë dhe Industrisë. "Kjo shënon një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit, duke i dhënë përparësi zhvillimeve ekonomike, investimeve të huaja dhe turizmit në Shqipëri"-u shpreh Kryeministri Berisha i pranishëm të hënën, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, duke nënvizuar faktin se "ky hap synon të përmirësojë dhe zhvillojë marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve si dhe të rrisë prezencën e investimeve izraelite në Shqipëri dhe anasjelltas". 

Nga ana e tij, ambasadori i Izraleit në Tiranë David Cohen vuri në dukje se, dy vende që bashkë i lidhin ndjenja të larta, miqësie dhe humanizmi, tashmë do të kenë një tjetër urë lidhëse që do të forcojë në një tjetër aspekt, marrëdhëniet midis dy vendeve". 

Sipas tij, biznesi izraelit ka interes për të ndërmarrë sipërmarrje të reja në fushën e agroindustrisë, turizmit, dhe energjetikës në Shqipëri. 

'Duhet që të shtojmë bashkëpunimin midis vendeve .Izraeli ka kaluar tashmë krizën e konomike si rezultat i politikave konservatore. Ne kemi marrëveshje në Shqipëri në sektorin e shëndetësisë dhe të shërbimeve por duhet që të punojmë që të arrijmë bashkëpunim edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Shqipëria është një vend që ka mjaft potenciale ku mund të investohet" tha ambasadori. 

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë biznesmenë të njohur nga të dyja vendet. Dhoma e Tregtisë Shqipëri – Izrael është një organizatë private biznesi e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në Shqipëri dhe për të përmirësuar imazhin e biznesit shqiptar në tregjet izraelite. Me hapjen e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Izrael-Shqipëri pritet që të ketë më shumë investime të ndërsjella për të dy vendet në sektorë të ndryshëm.