Historia fatkeqe e një gruaje, që deshi shumë një burrë dhe humbi një fëmijë. Dy dhimbje që i mbajti me vete nën projektorët e skenave dhe suksesit. Jeta e divës së muzikës operistike përmes romanit biografik të gazetarit italian, Alfonso Signorini
“Maria, përgatit valixhet! Pas dy ditësh, Ted dhe Jackie do të jenë këtu për të përfunduar planet e martesës sonë”. Këto fjalë, gati me pa të keq, Aristotel Onassis ia drejtonte Maria Callasit, “Divinës” së operistikes botërore. Pasi e kishte thirrur me ngut të shkonte tek ai e kur ajo kishte lënë Parisin për t’iu gjendur sërish pranë, pavarësisht qindra zhgënjimeve, ai guxonte dhe i thoshte të çohej, të ikte, të mblidhte plaçkat. Gruaja e parë e Amerikës, tashmë e ve, do të martohej me të…
Me profilin tipik grek, me tipare të zeza mesdhetare, Maria Callas ishte “tepër krenare, tepër e brishtë”. Me këtë thënie të vetë asaj, shkëputur nga një letër e vitit 1963, gazetari italian Alfonso Signorini ka titulluar romanin biografik kushtuar një prej divave të skenave operistike botërore. Një botim i shtëpisë botuese “Dudaj”, sjellë në shqip nga përkthyesja Adriana Hila. Është historia tragjike e një gruaje, e cila deshi gjithë jetën një burrë, që nuk e meritonte, por që kthehej vazhdimisht tek ai si te një mol i vjetër.
Një dashuri fatkeqe, gati e sëmurë, që e gërreu së brendshmi, derisa u nda nga jeta në shtator të vitit 1977 nga një infarkt në zemër. Libri i Signorini-t zbulon përtej shkëlqimit të skenave, sukseseve, roleve, që ajo i realizonte si askush tjetër, anën e errët në jetën e Callas, jo vetëm marrëdhënien me magnatin e anijeve, Onassis, por dhe ritualin e çdo të hëne të parë të muajit, kur ajo shkonte të qante në kryet e një varri. Te koka e të birit, që u nda nga jeta pak orë pas lindjes, më 30 mars 1960. “I adhuruari im. Zemra e nënës sate. Sa shumë të kam dashur e sa shumë të dua! Por nëna jote nuk do të të lërë kurrë vetëm. Nëna jote do të vijë gjithmonë këtu tek ti të të takojë, të të përkëdhelë. Të hënën e parë të çdo muaji, si sot…”. Kështu mërmëriste e thyer, nën lot, gruaja që kishte bërë të tjerë të përloteshin me zërin e saj, teksa këndonte “Traviatën”, “Madama Butterfly”, “Toskën”, “Aidën”, “Rigoleton”, “Normën”, “Medean”… Përpara dashurisë dhe humbjes, sopranoja me zërin më të veçantë ishte si gjithë të tjerët…
Përkthyesja Adriana Hila: Dashuria s’paska as fund e as mend
Për përkthyesen Adriana Hila, përkthimi i romanit biografik “Tepër krenare, tepër e brishtë”, ishte një zbulim dashurie. “Dashuria s’paska fund, as mend, as kushte, as arsye, as të drejtë, as detyrime. Dashuria nuk pyet nëse ti je një grua çfarëdo apo një grua unike”, thotë Hila.
Ma merr mendja që çdo përkthyes krijon një marrëdhënie me librin që përkthen. Cila ishte marrëdhënia juaj me “Divinën” e operistikës botërore?
Që të përkthesh një libër, mes përkthyesit dhe veprës duhet të vendoset një raport intimiteti, sigurisht. Mes meje dhe librit të Alfonso Signorini-t mbi jetën e Callas-it të romanizuar u vendos një raport dashurie që në faqet e para. Libri për Callas ishte zbulim për mua. Ishte dashuri pa kushte. Kur botuesja, Arlinda Dudaj më besoi përkthimin e Signorini-t, pata një paragjykim të lehtë, për shkak të profilit që kisha krijuar mbi drejtuesin e “Chi”. Por kisha gabuar. Signorini që tregon Callas nuk bën thashetheme. Ai është kokë e këmbë në dashuri me gruan hyjnore. Ai e tregon Callas me sytë e dashurisë së një burri për një grua, për një grua të pazakontë, unike, të pakrahasueshme, hyjnore. Signorini është i thellë, i thjeshtë, njerëzor, i shkëlqyer teksa rrëfen historinë e Maria Callas dhe të rrëmben sapo hyn në libër, qofsh ti lexuese, botuese apo përkthyese. Mua më rrëmbeu qysh në faqen e parë dhe nuk më lëshoi deri në germën e fundit.
Paralelisht me përkthimin është i nevojshëm edhe një kërkim personal mbi personazhin?
Sigurisht. Gjithë kohën ndërsa përktheja, dëgjoja “Casta Diva” ku Callas të ngjeth, thënë me fjalë të thjeshta. Dhe jo vetëm këtë. Kam kërkuar e dëgjuar një arkiv të tërë me arie të saja, si edhe lexuar shumë materiale për të. Gjithashtu lexova dhe shumë shkrime të Signorini-t, për të kuptuar më shumë stilin e tij, pa harruar Chanel, që është botuar në Shqipëri. Por më ngjan se asgjë më parë Signorini nuk e ka shkruar si “Callas”. Ose kjo është thjesht përshtypja ime. Përshtypja e përkthyeses së një libri të shkruar me dashuri. Nuk ishte libri i parë që lexoja për jetën e saj, por sigurisht e them me bindje se ishte më i ndjeri.
Cili ishte zbulimi juaj personal në këtë libër?
Që dashuria s’paska fund, as mend, as kushte, as arsye, as të drejtë, as detyrime. Dashuria nuk pyet nëse ti je një grua çfarëdo apo një grua unike. Kushdo qofsh, ti para dashurisë bëhesh çfarëdo, bëhesh e zakonshme. Qofsh ti edhe Callas.
Përse një lexues duhet ta lexojë patjetër atë?
Një lexues duhet ta lexojë këtë libër, se në të flitet për Callas-in, për rrugën e saj të mundimshme derisa arriti në majën e Olimpit të muzikës si hyjneshë. Por duhet ta lexojë, sepse në këtë kohë gri, gjithë politikë, baltë e fushatë, çfarë mund të bësh më mirë se të lexosh një libër? Dhe çfarë libri! Nga ata që i do dhe nuk i lëshon nga dora derisa i mbaron. Një libër që lexohet me një frymë.
/a.m. PANORAMA/