Liberalizimi i shitjes së TPL, njihet me këtë emër nga tregu dhe klientët, ishte masa më e mirë dhe më e rëndësishme në funksion të zhvillimit të këtij tregu. Kjo masë rregulloi njëherë e mirë marrëdhënien midis klientit dhe kompanisë, pastroi bilancet nga shifrat fiktive, pasi ndryshe shënohej në policën e sigurimit, ndryshe arkëtohej primi i sigurimit, duke krijuar hendeqe të mëdha dhe vështirësi financiare në treg. Gjithashtu u bë e mundur rritja e transparencës dhe përgjegjësisë së kompanive para klientëve, aksionerëve dhe natyrisht tregu u bë transparent dhe i ndërgjegjshëm për produktet që shet dhe përgjegjësitë që mbart. Sigurimi i detyrueshëm ose TPL në të gjithë botën zë vetëm 8 -10 për qind të portofoleve të kompanive, ndërkohë që në Shqipëri zë rreth 80 deri në 90 për qind. Pra është një portofol i pa diversifikuar dhe në kompani të veçanta edhe më shumë.

Duke qenë një produkt i kërkuar me ligj, ai është bërë edhe objekt i një diskutimi të gjerë këto ditë në media dhe natyrisht edhe në opinionin publik. Mediat u mbushën me lajme si kompanitë ulën çmimet, kompanitë  rritën çmimet, kompanitë kanë çmim të njëjtë etj., fjalë dhe shkrime këto që kur i dëgjon dhe lexon të krijojnë një ndjesi jo të këndshme për mënyrën e transmetimit të këtij mesazhi te qytetarët dhe nga qytetarët te njëri-tjetri. Po çfarë është TPL? Ky është sigurim i detyrueshëm në të gjithë botën dhe ka për qëllim mbrojtjen e palës nga dëmet që ai u shkakton të tjerëve. Vlera e dëmshpërblimit është e rregulluar me ligj mbi bazën e përgjegjësive ligjore dhe përmasave të aksidenteve. Primi i sigurimit pas liberalizimit është thjesht kompetencë e kompanive dhe përgjegjësi e aksionerëve për kapitalin e investuar.

Duke qenë produkt i lehtë për t’u shitur dhe kërkuar nga policia në bazë të ligjit, ky ka qenë edhe molla e sherrit dhe elementi që ka vendosur në një garë kompanitë, por nga ana tjetër ka qenë edhe në qendër të vëmendjes së Autoritetit të Konkurrencës dhe autoriteteve të tjera mbikëqyrëse. Pak histori, dhe shkaqet pse sigurimi i detyrueshëm i makinave është kaq i përfolur. Me liberalizimin e tregut të sigurimeve lindën kompanitë e sigurimit: në fillim një kompani, më pas tre, pastaj 5 dhe tashmë në treg operojnë  9 kompani sigurimesh. Fillimi për secilën është i vështirë dhe natyrisht produkti bazë është TPL, kjo për shkak edhe të mungesës së kulturës në sigurime. Kështu filloi dhe loja me ndarjen e tregut në sigurime, pra në sigurimin TPL të makinave.

Për tre vjet tregu u maturua dhe u krijuan ndarje të cilat ishin normale dhe funksionale, çka edhe bënë që tregu të rritej dhe të kishte parametra profesionale dhe natyrisht shërbim të mirë. Por ai duhej zgjeruar dhe si bazë për zgjerimin për autoritetet licencuese nuk u zgjodhën produktet apo klasat e sigurimeve, që dhe sot janë të pazhvilluara, por u rrit numri i kompanive. Më 2004 u dhanë brenda një dite 4 licenca për kompani sigurimesh, të cilat e sulmuan tregun për të zënë vendin e tyre në të. Kjo bëri që tregu të ndjejë çfarë po ndodhte dhe si duhej përballuar. Kompanitë ekzistuese humbën menjëherë treg për shkak të çmimeve të ulura që aplikuan kompanitë e reja dhe kështu loja e dominos vazhdon edhe sot, kur një tjetër kompani iu shtua tregut vitin e kaluar. Që të fitonin pjesë të tregut, këto kompani filluan lojën me çmimet dhe të tria kompanitë që hynë të parat, duke përfshirë edhe shtetëroren, humbën pjesë të mëdha për shkak të uljes së çmimeve.

AMF dhe politika menduan ta bënin tregun me shumë kompani pa asnjë konsulencë me operatorët. Në dhënien e licencave nuk u veprua me kujdes, duke licencuar kompani sigurimi dhe  duke u dhënë klasa të veçanta që janë pak të zhvilluara si jetë, shëndet, pasuri etj.

Për të mbrojtur interesat e konsumatorëve duhej të jepeshin licenca vetëm për sektorë të tjerë të rëndësishëm, me qëllim rritjen e pjesëve të tjera të tregut, siç ndodh në botën e qytetëruar. Pra dhënia e gjithë klasave të gjitha kompanive dhe mungesa e mbikëqyrjes në elemente të tilla siç janë kapitali, rezervat dhe aftësia paguese bënë që vitin e kaluar të lindte edhe një tjetër kompani me pjesë të shkëputura nga stafet e kompanive.  Natyrisht me synimin për të marrë portofole me çmime të ulura duke dëmtuar jo vetëm kompanitë por dhe interesat e klientëve. Pra, mekanizmi i shpjegimit të kësaj situate është i thjeshtë. Kompanitë e vogla për të mbijetuar dhe për të marrë treg, duke mos pasur asnjë nga klasat e tjera të sigurimeve jetë, shëndet, pasuri, marinë etj., ulin tarifat me qëllim që të rriten artificialisht në treg, pasi 90% të dëmeve të klientëve të tyre i paguajnë kompanitë e tjera. Nisur nga kjo, nuk u mbetet gjë tjetër veç të ulin çmimet, të mos paguajnë dëme ndërkohë që u mungon kontrolli i elementeve që thamë më sipër, për të funksionuar si kompani. E gjithë kjo lojë sot po reflektohet te pagesa e dëmeve të cilat AMF e ka detyrë ligjore t’i kontrollojë si dhe elementet që karakterizojnë një kompani sigurimesh, të bëjë transparente të dhënat për secilën dhe të garantojë publikun për pagesat e dëmeve. Kjo do bëjë të mundur edhe shitjen me kujdes të TPL-së nga kompanitë.

Është e vërtetë se sistemi i sigurimeve është sistem i sigurt dhe, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë me ndonjë kompani, asgjë nuk ndodh me klientët, pasi janë kompanitë që mbeten në treg që paguajnë të gjitha dëmet.

Investitori strategjik në tregun e sigurimeve në Shqipëri

Është meritë e tregut të sigurimeve dhe operatorëve në të, që u bë e mundur futja në Shqipëri e dy investitorëve strategjikë, të cilët duke ardhur nga komuniteti europian e garantuan tregun duke i dhënë garancitë financiare dhe natyrisht përmbajtjen dhe parametrat europiane.

Prania e UNIQA dhe VIG në Shqipëri krijuan një fizionomi të re dhe një trajtë të re në industrinë e sigurimeve. Duhet theksuar këtu se edhe vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia, duke qenë pjesë e punës së operatorëve shqiptarë të sigurimeve, të cilat e filluan para 10 vitesh aktivitetin e tyre, u garantuan këtyre vendeve praninë e investitorit strategjik dhe kjo natyrisht ishte një dhuratë, por dhe një bashkëpunim i suksesshëm që vetëm tregu i sigurimeve e ka krijuar në rajon. Prania e kompanive shqiptare në Kosovë e Maqedoni ka qenë një tregues i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve duke respektuar të gjitha të drejtat në këto vende.

Tregu shqiptar i sigurimeve ka investuar në këto vende rreth 25 Milion Euro kapitale dhe natyrisht i ka dhënë dhe investitorët strategjikë.

Pra, këta investitorë i kanë dhënë garancitë këtij tregu në të gjithë rajonin, pasi ato zotërojnë mbi 60% të këtij tregu, duke e bërë gjithnjë e më shumë europian jo vetëm në emër por në shërbim, produkte dhe natyrisht në garantimin e klientëve dhe gjithë tregut me garancinë e produkteve pavarësisht nga prania në treg e operatorëve të vegjël lokalë.

Në këtë mënyrë, prania e investitorëve strategjikë përfundimisht ka dhënë garancitë e investimeve të huaja dhe natyrisht ka garantuar tregun në tërësi për mirëfunksionimin e tij.

Liberalizimi, kjo masë e rëndësishme për një treg të shëndoshë

Qeveria shqiptare ka bërë liberalizimin e këtij tregu tërësor, duke i dhënë mundësinë atij të konkurrojë me të gjitha elementet e tregut që për sigurime janë lehtësisht të dallueshme: pagesa e dëmeve në kohë dhe në vlerën e duhur, krijimi i rezervave dhe ruajtja e parametrave të aftësisë paguese. Së fundmi, edhe liberalizimi i TPL krijoi mundësinë e garës dhe natyrisht të konkurrencës. Por ky liberalizim nuk u shoqërua me masat e duhura, të cilat janë objekt i punës së mbikëqyrjes. Pas liberalizimit një sërë masash duhej të vinin menjëherë. Vendosja e sistemit “bonus malus”, që do të thotë regjistrimi i dëmeve dhe historiku i dëmeve për çdo klient dhe çdo targë për të aplikuar tarifa specifike për shkaktarët e dëmeve dhe për mjetet me kubikazh të ndryshëm. Shqipëria ka rreth 350 mijë makina, nga të cilat janë rreth 30% të pasiguruara dhe ato që janë të siguruara akoma nuk është bërë e mundur që agjentit t’i dërgohen të gjitha të dhënat e mjetit dhe të gjitha të dhënat e përdoruesit, duke aplikuar tek ai tarifën mbi bazën e historikut që paraqet për tregun, pra sa ka qenë i përfshirë në dëme apo cila është fuqia motorike e mjetit etj. Grumbullimi dhe evidentimi i këtyre të dhënave kërkon vetëm angazhim, bashkëpunim dhe jo më shumë se një muaj kohë. Fabrikimi i primit të rrezikut apo krijimi i artificave duke përdorur frikën se çfarë ndodh nëse një kompani mund të dalë nga tregu etj., nuk janë asgjë tjetër veçse lojëra me tregun ose lojë e njëjtë si ato që ulin çmimet dhe punojnë pa e kuptuar se janë në tregun e sigurimeve dhe jo në tregun e mallrave industriale. Në këtë pikë i takon AMF-së të luajë rolin e tij mbikëqyrës mbi rrezikun dhe dëmet e paguara si dhe garantimin e pagesës së dëmeve. E vërteta është se asnjë klient nuk mbetet i pambuluar dhe asnjë shqetësim nuk është në treg.

Klasat e sigurimeve janë disa dhe janë të gjitha të rëndësishme, të kthejmë sytë tek ato dhe të mendojmë për të zhvilluar industrinë financiare, pasi është njëra nga tri shtyllat e zhvillimit të vendit. Kjo industri e përberë nga tregu i sigurimeve, fondet e pensioneve, letrave me vlerë apo bursa janë një industri paksa e harruar dhe e përqendruar në TPL. Po bëj një krahasim vetëm me Kroacinë: tregu i sigurimeve atje është rreth 700 Euro për frymë, kurse në Shqipëri është vetëm 18 Euro. Pra, janë të gjitha mundësitë që me një program të qartë strategjik dhe bashkëkohor të dyfishohen brenda vitit këta tregues. Por kjo arrihet përmes një bashkëpunimi midis operatorëve të cilët janë të gatshëm, politikës dhe autoriteteve të mbikëqyrjes financiare.

/Avni Ponari/

Shih: http://www.mapo.al/2013/03/14/tregu-i-sigurimeve-nuk-jane-vetem-makinat/