Në një varg, poeti i njohur amerikan, Robert Lowell, thotë se “me një krenari më se të ligjshme, ndeza shkreptima që ma çuan gjakun në vlim”. Është fjala për krenari që vijnë nga puna letrare e vlerësuar, është fjala për përpjekje dhjetëravjeçare të justifikuara dhe të shpërblyera tashmë ndërkombëtarisht. Dhe janë disa femra të lindura në Shqipëri, ato që ia kanë arritur të botojnë libra të suksesshëm nga shtëpi botuese të njohura europiane dhe amerikane, që janë shpërblyer edhe me çmime letrare prestigjioze. Po përmend vetëm Elvira Donesin, Luljeta Lleshanakun dhe tashmë edhe Ani Wilms. Elvira Dones prej vitesh ka arritur një profil të qëndrueshëm si shkrimtare me botimin e romaneve në Itali dhe gjetkë.
Luljeta Lleshanaku ka botuar disa libra poetikë me cilësi të lartë të shkrimit. Librat e saj u përkthyen në anglisht dhe janë pritur mirë nga kritika në SHBA dhe Angli. Libri i saj poetik “Fëmijët e natyrës” pati jehonë pozitive në mendimin profesionist të shumë tryezave europiane. Sivjet libri i saj i fundit, botim i “Ombra GVG”, “Pothuajse dje”, u prit me disa shkrime vlerësuese sa u botua. Mjediset e zymta dhe fytyrat asketike që sjell Lleshanaku ndriçohen nga një tonalitet mëshire e mirësie të fshehur, të kursyer, veç rasteve kur të verbon shkrepja e blicit të krahasimeve, një nga mjetet më të fuqishme të poezisë së saj. Ajo në këto vite ka përfaqësuar poezinë shqipe në shumë takime poetike europiane dhe është vlerësuar edhe me çmime.
Ani Wilms këto ditë u nderua me çmimin prestigjioz për të huajt që shkruajnë gjermanisht “Adelbert von Chamisso” për romanin “Vrasje në rrugën e veriut”, botuar nga shtëpia botuese berlineze “Tranzit”, paraqitur dhe në Panairin e Librit në Frankfurt. Për jurinë e Chamisso-s libri është “…një episod ekzotik i historisë së shtetit të ri shqiptar…” që mund të ngjajë dhe si një “… shëmbëlltyrë bindëse e gjendjes së sotme të Shqipërisë”. Për t’u dhënë përkrahje autorëve të huaj të shkruajnë gjermanisht, bashkë me çmimin, autores shqiptare i janë dhënë 7000 euro nga fondacioni “Robert Bosch”. Krahas saj, çmimi “Chamisso” i është dhënë një shkrimtareje ukrainase Marjana Gaponenko (fituesja kryesore) dhe polakut Matthias Nawrat.
Ani Wilms, romanin “Ngjarje në rrugën e veriut” e ka botuar për herë të parë në Shqipëri më 2007-n te “Onufri”. Ajo, meqë nuk gjeti përkthyes, e përktheu vetë gjermanisht romanin e saj. Vlerësimin me çmim në këtë gjuhë, shkrimtarja e quan “shpërblim në fund të një rruge shumë të gjatë dhe të mundimshme, … justifikim i përpjekjeve dhe i sakrificave të dhjetë vjetëve”. Po ashtu, nga intervistat e saj marrim vesh se shkrimi për të është mision jetik.
Flet shumë për të ky përkushtim i thellë ndaj letërsisë. Një maksimë e njohur dhe e provuar në vite, që kur ka lindur zeja e shkrimtarisë, thotë se letërsia, talenti është durim, punë. Libri i saj “Ngjarje në rrugën e veriut”, kujtoj, është promovuar në Tiranë në mjediset e “Frend Book House”. Veç fjalëve në promovim, ne gazetat e Tiranës u botuan dhe intervista e shkrime që po t’i kërkosh, i gjen edhe sot në internet. Bashkë me shkrimet e gazetave që harrohen brenda ditës, edhe ky roman i Ani Wilms nuk pati jehonë tjetër. Shqipëria, sot për sot, duhet pranuar kështu siç është, kaq mund t’u japë shkrimtarëve të saj. Ndaj, si e shënuam që në krye të këtij shkrimi, shumë autorë, midis tyre dhe femra, kanë gjetur treg dhe tryeza të tjera për të vënë në pah talentet e tyre. Në ndonjë rast një arritje deri në tryeza të tilla shoqërohet me mundime deri dhe me sakrifica, si pohon Wilms. Ky atëherë nuk është vetëm një sukses letrar. Është dhe një përvojë, një sprovë e këmbënguljes, e besimit në vete dhe e virtytit të vullnetit të fortë. Ndaj jo vetëm për Ani Wilms, edhe për letrat shqipe ky është një lajm i gëzueshëm.
Romani “Vrasje në rrugën e veriut” sjell vazhdimin e së njëjtës temë të romanit të Faik Konicës “Doktor Gjilpëra…”, kërkimin e autorëve të vrasjes së dy qytetarëve amerikanë në vitet ’20 të shekullit që shkoi. Si ndodh në Ballkan dhe në shtete ku krimet dhe shoqëria janë të infektuar pazgjidhshëm, hetimi i vrasjeve të tilla, të merr brenda vetes dhe në vend që ta zbulosh, humbet në makthin e errët të rrethanave. Romani e sjell atmosferën politike të kohës me dy personazhet kryesore, Noli dhe A. Zogu, me përplasjen e fillesave të demokracisë me autoritarizmin.
Pa e zgjatur me lëndën e romanit, të bën përshtypje se, në një largësi për mirë nga libri i saj i pare, romani “Pritje të bukura”, stili i “Ngjarje në rrugën e veriut” ishte i fortë, i sigurt, ndërtimi i romanit ka rreptësi të prerë kompozicionale, prerje gati klasike. Të bën përshtypje dhe orkestrimi i ngjarjeve, i prurjeve të reja nga ngjarjet, kalimi i tyre nga individi që e sjell lajmin në rrugë, në treg, në kafe, te i gjithë qyteti. Qyteti bëhet kështu kryepersonazhi që e bluan lajmin sipas mendësive, interesave, niveleve kulturore. Është ky një procedim narrativ që e gjen te Ivo Andriç, po edhe te I. Kadare, shkrimtarë që kanë eksploruar shtresëzimet mendore, etnokulturore e psikologjike të bashkësive ballkanike.
Këto fjalë mbase duhet t’i kisha thënë gjashtë vjet më parë. Por ky shkrim, veçse një urim për autoret tona fituese të çmimeve më emër në kultura të tilla europiane si Gjermania, Italia, Anglia, është dhe një kërkim ndjese. Për atë që duhet të bëjnë autorët shqiptarë për njëri-tjetrin, për të mbrojtur e promovuar vlerat tona. Mbase atdheu ynë i lindjes nuk i ka mundësitë të jetë në lartësinë e cilësive të disa prej penave më të mira letrare të kohës së sotme.
/Sadik Bejko, Panorama/