PARIS, 15 mars 2013 –Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) njoftoi se më 25 shkurt Republika e Shqipërisë ishte bërë vendi i 72-të që zbaton sistemin ndërkombëtar ATA Carnet, sistem i cili lejon hyrjen e përkohshme dhe pa taksa të mallrave të eksport-importit për një periudhë deri në një vit, bëri të ditur më 15 mars 2013  portali “Engineering News Online”.

(ATA është një shkurtim që rrjedh nga kombinimi i fjalëve franceze dhe angleze “Admission Temporaire /Temporary Admission” – Pranim i Përkohshëm).

Peter Bishop, kryetar i Federatës Botërore të Dhomave, tha se zbatimi nga Shqipëria i sistemit ATA Carnet i jep sinjal botës se Shqipëria është e hapur për biznes dhe se pjesëmarrja e saj do të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë shqiptare dhe është e mirëpritur në masë të madhe nga të gjithë anëtarët e tjerë të zinxhirit Carnet.

Implementimi i ATA Carnet është pjesë e detyrimeve që Sistemi Doganor Shqiptar ka pasur në kuadrin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Me këtë rast Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë organizoi trajnimet me temë “ATA Carnet Training” me asistimin e Prof. Andrew Allan, ish-drejtues i Ata Carnet pranë Dhomës së Tregtisë Londër.

Morën pjesë rreth 13 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, regjimeve  doganore si Vlora, Durrësi, Kapshtica, Rinasi etj, gjithashtu dhe përfaqësues nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë.

Në një trajnim tjetër morën pjesë rreth 20 përfaqësues nga Dhomat e Tregtisë së Durrësit, Lezhës, Fierit, Gjirokastrës, gjithashtu dhe përfaqësues nga Agjencia Shqiptare e Investimeve të huaja (AIDA) dhe grupeve të tjera të interesit.

Më 18 dhjetor 2012 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mbi ATA Carnet midis Bashkimit tëDhomave tëTregtisëdhe IndustrisësëShqipërisëdhe DrejtorisësëPërgjithshme tëDoganave.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/