Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon pa asnjë masë reaguese efektive kundrejt misrit të infektuar të ardhur nga Serbia. I konsideruar si shkaku kryesor i infektimit të produkteve ushqimore me origjinë blegtorale me aflatoksinë, misri serb është përballur me veprime të forta penguese nga vendet e tjera, por duket se në Shqipëri vazhdon të hyjë pa u trazuar nga askush. Në Gjermani u bllokuan dhjetëra mijë tonë misër, në Itali po ashtu, në Maqedoni, Kroaci e Mali të Zi ai është shpallur “non grata”. Madje, edhe Kosova me daljen në skenë të aflatoksinës e ka rritur ndjeshëm shkallën e gatishmërisë nëpër dogana. Sikurse raportohet nga gazetat kosovare, çdo kamioni të ngarkuar me misër i merren mostrat përkatëse për të realizuar analizat përkatëse me qëllim për të parë nëse misri është i infektuar apo jo. Dhe përballë një panorame të tillë faktesh, ku gjithandej ekziston reagimi përkatës, pyetja bazë që lind në mënyrë të natyrshme është: çfarë ndodh në Shqipëri, në këtë vend ku institucionet e shtetit janë thjesht formale dhe larg kryerjes së detyrave të tyre funksionale?! A mund të thotë ndokush që Shqipëria është tokë e padepërtueshme për produkte të tilla të rrezikshme? A ka deri tani ndonjë lajm, ndonjë publikim rreth ndonjë sasie, qoftë kjo edhe modeste, të bllokimit në doganë, sepse ajo rezultoi me problem?! E pra a do të thotë kjo në fund të fundit se në Shqipëri nuk hyn misër serb ose ai që hyn është në rregull kur në të gjitha vendet e tjera rezulton i rrezikshëm?!

Është e vërtetë se zyrtarë rajonalë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit kanë ndërmarrë këto ditë disa kontrolle nëpër fabrika të ushqimit të blegtorisë. Mirëpo përtej një qëllimi të mirë, përtej dëshmisë së sensibilizimit rreth faktit se duhet përqendruar vëmendja te shkaku – pra cilësia e ushqimit të kafshëve – dhe jo te pasoja (produktet blegtorale) mënyra e të vepruarit është e gabuar. Sepse nëse misri serb i infektuar arrin të futet në brendësi të territorit shqiptar, atëherë është thuajse e pamundur të bihet në gjurmët e tij. I vetmi vend ku duhet përqendruar energjia monitoruese janë doganat shqiptare, gjë që nuk po realizohet.

Shqipëria konsumon mesatarisht 40-45 mijë tonë misër në vit si ushqim për blegtorinë sasi kjo e ardhur nga vende të ndryshme si Rusia, Ukraina, Kroacia, Serbia. Duke qenë një produkt problematik dhe i rrezikshëm, misri i ardhur nga Serbia ka “avantazhin” se del në treg me një çmim më të ulët. Po ashtu edhe mjaft komplekse blegtorale në Shqipëri, për të siguruar konkurrueshmëri në treg nëpërmjet çmimit, janë të prirë të ulin sa më shumë kostot e prodhimit. Dhe të mos harrojmë se bëhet fjalë për misrin, i cili zë rreth 80 për qind të kostos së ushqimit blegtoral. Kjo është mënyra se si misri serb arrin në grazhdet e kafshëve shqiptare dhe njëkohësisht kjo është mënyra se si krijohen kushtet që të gjitha ato komplekse që prodhojnë produkte ushqimore me natyrë shtazore, t’i kenë ato me probleme, ndonëse pa dijeninë dhe vetëdijen e tyre.

Probabilitetit të pasjes së pasojave i nënshtrohet çdo produkt blegtoral, ndonëse kohët e fundit ishte industria e përpunimit të qumështit ajo që pagoi kostot e alarmit te konsumatorët për përmbajtjen në qumësht të aflatoksinës. Një kosto kjo që u bë edhe më e lartë si pasojë e hutimit, gjendjes në mënyrë të papërgatitur, menaxhimit joprofesional te situatës prej institucioneve të shtetit në mënyrë të veçantë AKU-së. Mirëpo, edhe pse industria e përpunimit të qumështit u dëmtua në mënyrë selektive dhe në mënyrë të padrejtë, kjo nuk do të thotë se shkaqet potenciale për të pasur në treg produkte problematike për shëndetin e konsumatorit nuk ekzistojnë. Ai është identifikuar tashmë dhe është misri serb, i cili është i kontaminuar, i helmuar, i infektuar me aflatoksinë, një lloj kërpudhe “Aspergillus flavus”. Dhe për sa kohë ai do hyjë lirshëm, i pakontrolluar, i pamonitoruar në Shqipëri, siguria ushqimore e konsumatorit shqiptar është e cenuar së tepërmi. /Shpëtim Luku, Shqip/

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/