BRUKSEL, 14 mars 2013- Kryeministri Berisha në Bruksel, mori sot pjesë në samitin e PPE

Kryeministri Berisha u nis drejt Brukselit, për të marrë pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane (PPE). Në Samit morën pjesë kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Europë, anëtarë të Partisë Popullore Europiane, të cilët diskutuan mbi një qasjeje të përbashkët të EPP-së mbi çështje europiane, që i paraprin Samitit të Këshillit Europian. 

Pjesëmarrës ishin Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker, Presidenti i Rumanisë Traian Basescu, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Irlandës Enda Kenny, Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras, Kryeministri i Finlandës Jyrki Katainen etj., si dhe Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso. 

Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi sot se ka garantuar pjesëmarrësit e Samitit të Partisë Popullore Europiane (PPE) se Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur për zgjedhje me standarde. 

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, shefi i qeverisë nënvizon se pas ftesës që shtetet pjesëmarrëse në Samit të dërgojnë misione vëzhguese nëpërmjet ODIHR për zgjedhjet e qershorit, ka denoncuar edhe përpjekjet që sipas tij opozita po përgatit për demonizimin e tyre. 

“Në Samit mora fjalën dhe garantova të pranishmit me vendosmerinë e PD dhe qeverisë për të garantuar zgjedhje të standarteve më të mira ndërkombëtare. Ftova të gjithë të pranishmit të dërgojnë nëpërmjet ODHIR vëzhguesit më të shumtë në zgjedhjet tona të përgjithshme sikunder denoncova përpjekjet e opozitës dhe mbeshtëtësve të saj për demonizimin e zgjedhjeve” shkruan Berisha në “Facebook”. 

Ndër të tjera, kryeministri bën me dije se gjatë punimeve të Samitit të EPP, debati u përqendrua kryesisht në reformat ekonomike të vendeve anëtare të Eurozonës dhe rezultatet e tyre. 

“Te dashur miq, sot mora pjesë në punimet e Samitit te EPP ne Bruksel, ne te cilin merrnin pjese Presidenti i Bashkimit Europian Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Europian Barroso, Kancelarja Angela Merkel dhe 16 Presidente dhe Kryeministra te Partive simotra te vendeve anetare te BE dhe partive te tjera te Qendres se Djathte. Ne Samit, debati u perqendrua kryesisht ne reformat ekonomike te vendeve anetare te Eurozones dhe rezultatet e tyre. Ne diskutime mbizoteroi fryma e optimizmit, mendimi se reformat e ndermarra po japin rezultate pozitive te qarta ne Irlande, Itali, Greqi, etj. Samiti kryesohet nga Presidenti i EPP Wilfred Martens dhe zhvillohet si nje dreke e zgjatur pune. Gjate punimeve te tij u pershendeta dhe shkembeva shkurtimisht mendime me pothuaj te gjithe Kryeministrat, Presidentet dhe miqte e tjere te pranishem ne Samit!”, shkruan kryeministri Berisha.