Nga Shpëtim KODRA

“Popujt  grinden për tokat, për naftën, por nuk grinden kurrë për vlerat shpirtërore, për letërsinë dhe artet, për Shekspirin a Moxartin”- thotë Kadare. Ata i përkasin njerëzimit, ashtu si edhe vetë vepra e Kadaresë, i cili tashmë është një klasik i letërsisë botërore. Nëse forcat politike vijojnë të grinden se kush do ta integrojë më parë Shqipërinë në B.E, Kadare u njoh e u vlerësua lart që në vitet 60 të sh.XX në Evropë e në botë. Na kanë integruar  edhe mjaft shkrimtarë, ndër to edhe femra, për veprat e të cilave, të përkthyera në disa vende, ndjehet krenar dhe Kadare. Mjaft piktorë tanët njihen jashtë vendit. Në skenat e botës performojnë me mjaft sukses këngëtarët lirikë E.Jaho, S.Pirgu, apo G.Myshketa qe interpretoi rolin e Ali Pashait në operan me të njejtin emër të Lotzing etj. Janë disa Mjeshtra Ndërkombëtarë në shah, ndërsa E.Dervishi është i vetmi Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar në shah.

Më pëlqen të kujtoj ceremoninë e pranimit të Kadaresë, si anëtar i Akademisë së Shkencave Morale e Politike të Francës, në kryeqendrën e kulturës botërore, në Paris (28 tetor 1996). Presidenti i Akademisë M.Plantey tha:”Ju, Kadare, keni treguar fuqinë etike e politike të mesazhit letrar , kur ai mbështetet  në kurajën dhe talentin. Diktaturën marksiste regresive ju e luftuat; vepra juaj, e drejtuar tërësisht kundër totalitarizmit, e luftoi”.Më 2016 presidenti Holland u shpreh:”Kadare”- profet i Shqipërisë, humanist i madh, avokat i Shqipërisë dhe Evropës”. Dhe me 1 janar 2020  presidenti Macron i akordoi Kadaresë titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”        Kam lexuar dialogun me Alen Boskenë (1996) dhe atë me Maks Velon (2002). Në dialogun e tretë “Kohë për rrëfim”,tashmë me Alda Bardhylin, I.K shprehet:”U magjepsa pas “Makbethit”.Tragjedia pushtoi trurin dhe imagjinatën time. Një tragjedi me pasione të forta mbi raportin me pushtetin dhe lakminë njerëzore. Ky libër shfaqi para meje botën e letërsisë”.

H.Blum “Asnjë shkrimtar nuk barazohet me Shekspirin në inteligjencë. Filozof e psikolog që ka pasur ndikim të madh për të përsosur qenien njerëzore”. Për shumicën e shkrimtarëve dhe studjuesve ai mbetet i pakrahasueshëm. Vetëm mjeshtri i madh i biografive të letrarizuara të shkrimtarëve të mëdhenj e rendit të dytin në botë, pak pas Dostojevskit. Shquhen për bukuri e forcë të rrallë poetike edhe 154 sonetet e Shekspirit, të sjella në shqip së fundi edhe nga M.Rakipi, por bën hije dramaturgjia e tij, e cila ka tundur skenat e botës, edhe përmes interpretimeve të shkëlqyera të A.Moisiut.  Falë edhe përkthimeve të pazëvendësueshme të Nolit shpjegohet admirimi i Shekspirit në Shqipëri. Ai e ka vlerësuar në veçanti “Makbethin”,si “pasqyrë të historisë së Skotlandës, si kritikë të sistemit terroristik të guvernës dhe si tragjedi të ambicjes kriminale”, ku theksohet që “mëkati e punitja janë në ferrin e kësaj jete”.

Për këtë konkluzion, pra për mesazhet antitiranike; për kompozicionin mjeshtëror, për elementet e subjektit që e sjellin aksionin në rritje e në kulm me një “semplicitet e një shpejtësi pothua klasike”, e vlerëson aq shumë Kadareja? Apo ndoshta edhe për “ironinë tragjike” të zaptimit të fronit të Skotlandës me ndihmën e një ushtrie angleze nga Malkolmi, i cili “salutohet prej parësisë dhe prej popullit si liberator”, kur s’ka mundësi tjetër për ta rrëzuar diktatorin gjakatar? Këtë zgjidhje jep Shekspiri, pasi më dikur ka shtruar pyetjen si qytetar:”A ekziston një mjet efikas për të penguar katastrofën civile tiranike”? Dihet që diktatorët “rrojnë sa malet” e veç kur vdesin vetë,apo me ndihmën e të huajve, mund të përfundojnë si e meritojnë.

Që Ferri shekspirian bazohet mbi fakte të provuara nga jeta, na bind Stefan Cvajg në romanin biografik “Maria Stjuart”(1542-1587),ku shprehet:”Tragjedia “Makbeth”,me ose pa dijeninë e tij, është mbrujtur me atmosferën e dramës reale të M.Stjuartit. Ajo që ndodh në kështjellën e sajuar nga poeti në Dunsinant, te “Makbethi”, në të vërtetë, para fare pak kohe, kish ndodhur në kështjellën mbretërore skoceze Holirud. Bosueli të kujton Makbethin, i cili, me vullnet e vendosmëri, përpiqet t’i qëndrojë urrejtjes së nënshtetasve, por që e dinë se burrëria s’u sjell dobi. Ndërsa vargu i sonetit, të shkruar nga dora e M.Stjuartit, “Për atë e kërkoj madhështinë”, fare mirë mund të ishte shkruar nga znj.Makbeth. Ngjashmëria, analogjia tronditëse është rastësi, apo një tragjedi e përjetuar realisht e M.Stjuartit? Kuptohet, në interpretimin poetik e filozofik të gjeniut”.  Akuzës për hipokrizi të Nexhmijes (znj. Makbeth) Kadare i përgjigjet: “Unë jam i çiltër (i sinqertë) me homologun tim njeriun, jo me bishën e egër”.

Tema e përçarjes së Kampit socialist, një temë, sa delikate, e mistershme e dramatike, aq edhe tokë e minuar, e rrezikshme, një tmerr i vërtetë, i sillte në mendje Kadaresë veç “Makbethin”. Fillimisht  kish menduar që prishjen, përçarjen e sistemit diktatorial komunist botëror ta trajtonte në një triptik-epope:  “Koha e grindjes”-“Dimri i vetmisë së madhe”-“Koncert në fund të dimrit”.Pa ditur arsyen e vërtetë përse nuk arriti të realizonte pjesën e parë të triptikut, besoj se më lejohet të hamendësoj. Atë kohë nuk do t’i lejohej shfrytëzimi i arkivit, pasi marrëdhëniet e dy diktatorëve Hoxha-Tito ishin zhvilluar në dy faza. Në aktin e parë që po e titulloj “Dashuria”, siç vërtetohet nga historianët e rinj përmes dokumenteve arkivore, të hapura sot, Diktatori ynë u nderua, me 27 qershor 1946, me titullin “Hero i popujve të Jugosllavisë”. Ndërsa me 14 mars 1948 Byroja Politike vendosi bashkimin e Shqipërisë me ish Jugosllavinë.

E.Rama te “Refleksione” ka shkruar:”Lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës ishte P.K.SH, e drejtuar nga emisarët jugosllavë”. Akti i dytë “Urrejtja” nisi menjëjerë pas prishjes së Stalinit me Titon. Dhe në këtë fazë të përmendje dashurinë, e nisur që në krijimin e Partisë, ishte e pamundur.”Kosova-thotë Kadare-ishte krimi i përbashkët i dy diktatorëve”. Kur një diktaturë bie, e para që gjykohet, pas krimeve,është historia që i ka shkruar ajo vetes”.Te ne as krimet nuk janë dënuar, as historia, zyrtare e shkencore e gjithëpranuar, nuk është shkruar, edhe pse kemi mjaft historianë me tituj shkencorë. Por nuk kemi një Akademi të Shkencave funksionale, si në vendet e tjera për  ta kryer këtë detyrë.

Pjesa e dytë e triptikut “Dimri i madh”. 81 shefat komunistë në një kështjellë,si 81 Makbethë “që vrisnin,ose vetë vdisnin,|si 81 Dunkanë që më shumë vranë|se u vranë”. Poema “Vitet 60” solli motivin e ndeshjes së P.P.SH-së me revizionizmin hrushovian, në mbrojtje të vijës staliniste. Duke u nisur nga koncepti i tradhtisë hrushoviane, I.K  botoi novelën për historinë simbolike të moçme të kalit të Trojës. Vepra u kritikua se “shtrembëron të vërtetën historike, ka një lloj ankthi ekzistencialist, atmosferë të zymtë; lufta e klasave pasqyrohet pa vërtetësi dhe nga pozitat e humanizmit abstrakt. Përmasa planetare e përçarjes komuniste e afron me “Koncertin”.Si luftën më të egër cilëson luftën e të aftëve me të paaftët, ku fitojnë këta të fundit, se janë më të qëndrueshëm.  Historia e letërsisë evropiane: ”I.K rrok historinë me një frymë shekspiriane”.

 Pjesa e tretë e triptikut përshkruan Mao Ce Dunin si një tiran misterioz e shpirtkeq që shkaktoi vrasjen e Lin Biaos dhe familjes së tij. Na  shfaqet darka makabre e 13 shtatorit 1971 si  e Makbethit, por  këtu pasardhësi nuk është ai që vret, por ai që vritet. Në fillimet e Revolucionit Kulturor, më 1967 Bashkimi i Shkrimtarëve Kinezë  ishte shpërbërë, ndërsa  letërsia,arti, edhe me gjenitë si Shekspiri e Moxarti ishte dënuar si kundërrevolucionare. Ndërkohë citatet e Maos shtypeshin në 1 miliard kopje. Në Francë romani “Koncert në fund të dimrit”  shpallej “romani më i mirë për vitin 1989”, ku autori “ofron një variant shqiptar të “Makbethit”. Romani më i guximshëm, më i drejtpërdrejtë dhe jo alegorik, por profetik. Në vjeshtë 1981 u dorëzua për botim. Me 17 dhjetor 1981 pasardhësi, kryeministri ynë u gjet i vrarë. Pas mbledhjes. Pas mesnate. Realizim profecie.

Lidhur me paranojën diktatoriale, në thelb në politikën e tyre të krimit, terrorit e censurës, diktatorët janë shumë të ngjashëm, edhe nëse krahasohen ata të periudhave të ndryshme historike.  B.Fevziu ne librin “E.Hoxha” portretizon E.Hoxhën, ndërsa në librin “Krime famëkeqe” A.Dyma  Ali Pashën. Ngjajnë mjaft.  Edhe mitet që krijuan për vetveten, jetuan sa vetë ata. Por vargjet e I.K “Koka në Stamboll, trupi në Janinë,|Të shtrinë Ali Pasha, të shtrinë”,këndohen

Lidhjen me letërsinë, botën e tij të dytë, formimin e tij si shkrimtar, I.K ia dedikon edhe “Makbethit”, nga i cili nuk u nda gjithë jetën. Makbethi vrasës e i vrarë njëherazi. Treqind vite pas “Ferrit” të Dantes, u kujtonte të gjithëve se ferri i vërtetë është mbi tokë e jo nëntokë. Treqind vite para komunizmit, profetizonte tmerret e atij sistemi. Magnetizmin e I.K ndaj “Makbethit”, e vërteton edhe analiza që ai i bën skenës së krimit, por dhe  përkthimi me skrupolozitet profesional i vargut “Trokit e zgjo! Ah, sikur ta bëje”! në disa variante, ku zgjedh më të mirin.

Në proçesverbalin e hetuesisë (24 shtator 1982), portreti i shkrimtarit ia kalonte për nga zymtia çdo përfytyrimi- shkruan I.K.  “Hetuesia dhe torturimi i ish ministrit të shëndetësisë LL.Ziçishti. Ndërsa emri i I.Kadaresë, jo më si shkrimtar, por si adhurues i “Makbethit”, si pjesëtar i më të errëtit komplot të historisë shqiptare. Dosja dëshmon marrëdhëniet shkrimtar-shtet. Dhe “Makbethi”, ashtu si “Ferri” i Dantes, ishin njëlloj bezdises për çdo rend tiranik. Letërsia botërore ka nisur me krimin .Shekspiri e çoi më tej. Krimi  e ka dëmtuar shumë njerëzimin, por e ka ndihmuar letërsinë. Shqipëria ishte një vend i egër e mizor, ku nuk flisje dot e ku të gjithë ruheshin. I vetmi mjet për të mbetur gjallë ishte letërsia. Sa herë botoja diçka, mbushesha me një forcë magjike. Jetoja si në ferrin e Dantes. Më ringjallte letërsia”.  

Dy veprat më tipike, me elemente më të dukshme  disidence,  nje roman e një poezi: “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Në mesditë  u mblodh Byroja Politike”. E para- një skaner i sistemit diktatorial terrorizues, kriminal e censurues. E dyta –autopsi e burokracisë gjakatare. Marsh funebër për komunizmin. Beteja e I.K me diktaturën u zhvillua përmes letërsisë. Alda Bardhyli:”Kadare ka emancipuar shoqërinë shqiptare gjatë diktaturës”. F.Ferrey: ”Vepra e Kadaresë- një “komedi hyjnore” e epokës së stalinizmit.

“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1976). Në një shtet që ngjason me Perandorinë Osmane ndodhet Tabir Saraji (Pallati i Ëndrrave)-fiksion. “Ministria e së vërtetës” e Oruellit. Institucioni, ku mblidhen dhe analizohen ëndrrat. Ëndërruesit,arkivi, dosjet e pafundme. Spastrimi i pare bëhet nga 1900 nëpunësit e bazës në gjithë perandorinë.  Shkallëzimi administrativ, sektorët nga kalojnë ëndrrat  për t’u studjuar, analizuar e interpretuar me themel. Seleksionimi me shumë salla. Nga galeritë anësore dalin njerëz që i shtohen rrjedhës së korridorit kryesor. Janë me qindra, ndoshta me mijëra. I.K:”Kish kohë që më joshte projektimi i një skëterre, një lloj mbretërie e vdekjes”. Një skëterrë, ku nuk ka shpëtim e ngushëllim. Shkencë për të kontrolluar e shtypur individin. Dosjet mbeten poshtërimi i shoqërisë edhe sot. Në to patriotët cilësohen tradhtarë, ndërsa spiunët patriotë. Moshapja e dosjeve lejon përhapjen e shpifjeve.  Murtaja diktatorale ka kaluar, por infeksioni gjarpëron ende në trupin e shoqërisë sonë. Virusi totalitar është latent, nuk vdes; rri gjithnjë në pritë. Rigjallërohet, kur demokracia është në krizë dhe jo funksionale. Ashtu si viruset organike, synon të pushtojë qelizat e shëndosha të shoqërisë. Nostalgjikë e cinikë kërkojnë të vijojnë poshtërimin diktatorial ndaj viktimave. Damka “agjentë e poliagjentë” ende përdoret ndaj intelektualëve  nacionalistë patriotë, apo shkrimtarëve dhe artistëve. E.Rama sqaron:”Martin Camaj- agjent i U.D.B-së? Shpifje. Camaj ishte i fundit trashëgimtar i denjë i rilindasve. Ai zuri vend në krenajat e letërsisë, por mishëroi edhe sfilitjen fizike e shpirtërore të persekutimit komunist. Camaj u arratis, për të mos shkuar në burg dy shokë të tij që i kërkonte Sigurimi. I informoi ata e u dha shansin të arratiseshin. Është e shkruar në dosje”.

Kontroll i trurit në gjumë- kontroll absolut i vetëdijes dhe nënvetëdijes së individit. Vetëm forca e imagjinatës e I.K mund të përfytyrojë e të strukturojë një pallat të tillë, me prestigj shtetëror të një shteti brutal e kriminal, një mekanizëm mizor, misterioz, të mallkuar, absurd e fatal. Një administratë shtetërore kundër shtetasve, që kontrollon ëndrrën, fjalën, mendimin dhe që përfaqëson bashkëjetesën e  botës reale me atë irreale, të jetës me vdekjen. Atmosferë shekspiriane në ankthin që krijon. Darka e vezirit me ngjarje tragjike- një ëndërr e llahatrshme. Në diktaturë kemi përjetuar censurën e shtypit, të letrave, të bisedave telefonike, por censura e ëndrrave përbën një absurditet grotesk e tragjik njëherazi.

Bota e gjumit, ëndrrat e nënshtetasve përcaktojnë luftrat, viktimat; tronditin pallatin perandorak. Ebu Qerimi (Mark Alemi) as e mendonte se, duke kaluar nëpër duar një ëndërr, përgatiste tragjedinë e dajës së vet, Kurtit. Kush ka në dorë atë pallat, ka në dorë çelsat e derjtimit të shtetit. Pyetjet drejtuar shitësit të zarzavateve dhe përgjigjet, për ditë të tëra mbushnin mbi 800 faqe p|verbal, për të mposhtur e dënuar padrejtësisht e barbarisht viktimë që mund të hynte me këmbët e veta e të dilte me arkivol. Rifuqizimi i Pallatit tregonte krizën aktuale të supershtetit. Shqipëria ish vendi më i izoluar e më i kontrolluar, siç ee përshkruan I.K Perandorinë osmane. Ja dhe një aspekt makabër. Të verbrit në kafene kishin qenë njerëz normalë, veçse sytë e tyre ishin “të ligj”. Për të mbrojtur veten dhe shtetasit e tillë, shteti osman kishte nxjerrë një dekret, sipas të cilit u nxirreshin sytë dhe  u jepte një pension të përhershëm. Letrat me kallzime për njerëzit me sy të këqinj, mund të hidheshin në çdo kuti postare. Komisioni shtetëror mblidhej një herë në muaj dhe vendoste cilëve prej fatkeqëve do t’u nxirreshin sytë, në bazë të kallzimeve, për të mirën e përgjithshme, siç thuhej në fjalimin tradicional para turmës së të porsaverbuarve.

 A ishte vetëm fiksion letrar Tabir Saraji?  Shkrimtarët e mëdhenj janë profetë.  Te klubi i madh i Laçit  Luan Maluka po pinte kafe dhe konjak me shokun e tij Mehmet Isain. Luani i tregoi se kish parë në ëndërr që E.Hoxhës i dhimbte shumë dhëmballa dhe ai s’kish mundur ta ndihmonte, pasi pincat e tij nuk ishin shumë të mprehta. Mehmeti:”Pse s’më the mua”? Dhe nxori pincat e veta nga çanta. U spiunuan dhe u dënuan secili me nga 7 vjet burg në 1975. U liruan nga burgu me 13 qershor 1982. Një  tjetër krim mizor ndaj një martiri, Xhelal Koprenckës. 30 dhjetor 1957. Deklarohet fajtor i riu 25 vjeçar, intelektual erudit, përkthyes i talentuar. Gjykatësi:”Ke ëndërruar e menduar të arratiseshe! 10 vjet heqje lirie”. Pas 4 ridënimeve, po në emër të popullit, duke qenë në burg, me 9 maj 1979 u dënua me pushkatim.U dënua ëndrra, mendimi për t’u arratisur.  Për fat të keq dolën dëshmitarë disa të burgosur të përpunuar nga sadistët.

“Në mesditë byroja politike u mblodh” (1975). Në suazën e dogmës diktatoriale komuniste, në ditarin e E.Hoxhës, të datës 20 tetor 1975, lexojmë një analizë të plotë, të saktë, shteruese të poemës. Për Kadarenë ato parime që sugjeronte realizmi socialist ishin sterile. Atë e tërhiqte shkrimi i gjërave që kishin mister; që kishin tërheqjen e fshehtë e një mjegull që t’i mbështillte. Prandaj shfrytëzon mitin e Herakliut, i cili vdiq pasi veshi zhgunin e përgjakur të viktimës së vet, centaurit Nesus. Aluzioni është i qartë. Pushtetarët komunistë, pashallarët e kuq, pasi veshin rrobat e të përmbysurve, pra pasi grabitën pasuritë e tyre dhe i inernuan, vranë a burgosën, përgatisin  fundin e vet. Me pretekstin e goditjes që Diktatori i dha kastës burokratike, I.K i akuzon, për herë të parë në letërsinë e kohës, burokratët si kriminelë e gjakatarë. Një kurajo e pafre e shkrimtarit, që nuk e njihte sa duhet autocensurën. Poezi e zymtë, makabre, me përfytyrime e penelata shekspiriane, ku ndërthuren realja, fantastikja e grotesku. Antirealizëm socialist. Ironia për kufijt e qetë, kastat kokulur e prodhimin normal. Kontrasti i propagandës me situatën konkrete. Stanjacion, amulli, regres.  

Poezi e guximshme, demaskuese, e ngritur mbi mjerimin material e shpirteror. Drama socialiste me kontrastin e frikshëm dukje-realitet. Kalbja e sistemit që simbolizohet nga tumori i zi. Pasqyrohet besnikërisht, po edhe trimërisht gjendja e pashpresë, kanceroze e sistemit komunist. Sistemi i bazuar në luftën e klasave, në mashtrimin e hipokrizinë, s’mund të ish jetëgjatë. Portret real e i frikshëm i burokratëve-vegla vrastare të diktatorit monstër, sulltanit të kuq. Vargu “nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt” na kujton “Makbethin”:”Vallë a e lan dot ujët e oqeanit prej kësaj dore gjakun”? Komunistët nëpërkëmbën idealet e dëshmorëve që luftuan për liri e demokraci, duke instaluar diktaturën më të egër në Lindje. Vijon përshkrimi metaforik i skenës makabre, surreale të kthimit përmbys të trupave të dëshmorëve, të denjë për penelin e F.Gojës.

Deheroizim i veprës së dëshmorëve. Lind pyetja: nëse raporti me të kaluarën e lavdishme të Luftës është i tillë, ndërsa e sotmja është e zymtë, atëherë ç’pritet në të ardhmen? Amoralitet, përçudnim, përdhosje. Gjysma e dytë e poezisë shfrytëzon legjendën e Rozafatit, por duke sjellë idenë se, për të qëndruar kështjella socialiste, nuk mjaftojnë as sakrificat e dëshmorëve. Krahasimi i Diktatorit me Krishtin që nuk u pëlqen komunistëve, tingëllon ironik. Si një hero donkishotesk kërkon të shpëtojë i vetëm situatën. Te “Dimri i madh” një person parashikonte masakrën kundër komunistëve kriminelë. Thirrja për kontrollin punëtor tingëllon si parullë boshe. Mesazhi është i qartë: progresi, lumturia në atë sistem totalitar, është iluzore.

Diktatori e cilëson Kadarenë “poet borgjez e reaksionar,poet i lig, poet korbash që atakon ndërtimin socialist e politikën e partisë dhe është kundër shtypjes së armiqve të klasës”.E vlerëson për talentin, por e kritikon për paraqitjen e zbehtë të Luftës e të rolitë masave,  për tablotë makabre,prandaj duhet edukuar me m-l.  D.Agolli, i cili në 10 vitet e para të njohjes me I.K besonte se regjimi socialist do të binte, kur bëhet kryetar i Lidhjes tjetërsohet. E akuzon Kadarenë se ka goditur mu në ballë Partinë në disa drejtime të shenjta: në diktaturën e proletariatit, në unitetin part-popull-klasë punëtore-udhëheqje dhe në moralin e shoqërisë sonë. Duke e konsideruar poezinë kundërrevolucionare, armiqësore, shprehet se ai ka zëvendësuar marksizmin me teori borgjeze, oportuniste, revizioniste, anarkiste, dekadente, objektiviste e subjektiviste, si ndikime nga Titoja, Gjilasi apo Toliati. Absurdi i tij është fenomenal, kur gjykon se I.K botimet jashtë nuk i ka parë si suksese të letërsisë kombëtare, por si gjë individuale!?

Ja dhe një tjetërë  mbledhje e byrosë politike në mesditë, përmes pendës unike të I.K. Një parodi groteske e vërtetë. Viti 1986. R.Alia flet për një ndihmë finaciare që na ofrojnë gjermanët, pas vizitës së J.Shtrausit  në Shqipëri, për ringjalljen ekonomike, kur po ndihej rrënimi i komunizmit, vdekja për së gjalli. Ironi e gjallë, e ngritur gjer në sarkazëm tallëse me krerët injorantë të pushtetit, si Sofoja që u kish thënë gjermanëve se oferta duhej studjuar, apo si ish kooperativistja e Lushnjes që u shpreh:”Edhe ata e kanë një hall”. Shansi nga qielli u refuzua nga grumbulli i gjallesave me emri “byro politike”. Skulptori Fuat Dushku më 1 korrik 1992 ricikloi bronzin e busteve të Leninit, Stalini dhe Enverit dhe shfrytëzoi copat diktatoriale  për të ngritur në Gëtingen monumentin kushtuar filozofit e fizikanit të shquar Lichtenberg, në 250-vjetorin e tij.

Kadare:”Do të mjaftonte leximi i shkrimeve të Drita çomos, me kancer, që vdiq në spital, pa u lejuar nga regjimi vrasës, (më i zi se vdekja e se kanceri), që  t’i qëndronte pranë nëna e saj, ish anëtare e asaj byroje politike, për të kuptuar se sa larg ishte bota komuniste nga bota e njeriut”. Më vjen çudi që nuk e përmendin analistët dhe historianët politikanë “Mosmarrëveshjen”, ku “shkrimtari simbol i Shqipërisë, siç  quan Mandala, që endet pareshtur mes të tashmes e të shkuarës, me sytë nga e ardhmja, harton këtë akt dashurie për atdheun e tij”. Në të duke dashur t’i shërbejë historisë, mbështetur në librat “Disidentët e rremë” të S.Bejkos dhe “Nega totum” të V.Barutit, vërteton se K.Trebeshina, i cili ishte thjesht një kriminel që ka pohuar dhe vetë për dy krime, mbahet ende disident për një “promememorie” të supozuar e që s’gjendet kund. Një analizë të hollësishme i bën edhe vrasjes kriminale të R.Gjebresë,zv.komisare, por me nënë kosovare. E konsideron “krim fondator në themelet e tiranisë së ardhme komuniste”. Edhe për S.Kasimatin biologe evolucioniste, shoqe klase e diktatorit thuhet:”Ashtu si vepra , edhe shpirti i saj jeton brenda nesh, brenda shpirtit të kombit, pra mbetet e pavdekshme”. Besoj që më tepër është kujtesë për brezin e ri thënia e At Zef Pllumbit:”Nuk ka demokraci, po u mbështet në harresën dhe në manipulimin e historisë”.