TIRANE, 13 mars 2013 – Një ndër çështjet kryesore në programin e FRD-së, do të jetë çështja e ish të përndjekurve, çështje, e cila do të zgjidhet sapo kjo forcë të vijë në pushtet. Kështu është shprehur kryetari i saj, Bamir Topi, në një takim me shoqatat dhe grupet e ish të përndjekurve. 

“Çdo gjë do fillojë me ju”, u shpreh Topi në nisje të takimit, ndërsa shtoi se FRD-ja synon të vendosë në vend dinjitetin e ish të përndjekurve. 

“ FRD-ja vjen për të zgjidhur ato probleme që duhet të ishin zgjidhur para 22 viteve. Me të përndjekurit është abuzuar, prandaj vijmë sot për të premtuar vendosjen në vend të dinjitetit të tyre. Kjo çështje është përdorur si kalë beteje nga ata që s’kishin lidhje me të. Ne vijmë pas 22 vitesh për të paraqitur tek ju një program politik, i cili në vetvete është shumë i thjeshtë. Janë të gjitha pikat, që të gjithë bëjnë çudi si nuk janë realizuar. FRD-ja ka në themel të saj trajtimin e problemeve me realizëm”, tha Topi. 

Duke premtuar kompensim brenda 3 viteve të para të qeverisjes për këtë kategori, Topi u shpreh se edhe aleancat e FRD-së në zgjedhjet e ardhshme kushtëzohen pikërisht nga kjo çështje. 

Pyetjes se çfarë do bëjë FRD-ja për kompensimin, Topi ka thënë: “Unë jam shprehur me gojën plot që FRD-ja në vendimmarrje dhe qeveri do kushtëzojë çdo lloj aleance me çdo lloj force tjetër politike për të shlyer atë detyrim, për kompensimin ekonomik, financiar definitiv pas 3 viteve të para të qeverisjes”, ka përfunduar ai.