TIRANË, 13 mars 2013 – Në Tiranë më 13 mars 2013 u zhvillua ceremonia e përurimit të Zyrës Ndërkombëtare të Rajonit Friuli-Venezia-Giuglia, njëkohësisht Zyrë e Institucionit Financiar “FINEST S.P.A” që investon e financon kompanitë italiane të rajoneve të Tri-Venetos, për të investuar në Evropën Lindore.
Në ceremoni morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto; ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani; drejtori i “FINEST S.P.A” Renatto Pujatti dhe delegacioni i rajonit Friuli-Venezia-Giuglia.
Numri 2 i qeverisë shqiptare tha se prania e investitorëve italianë në Shqipëri dëshmon se “tregu shqiptar është atraktiv” dhe se “vendi garanton investimet e huaja”.
Haxhinastoja deklaroi se “fakti që një rajon i tillë përfaqësohet dhe hap një zyrë për të promovuar interesat e biznesit dhe investitorëve në Shqipëri është tregues i qartë se Shqipëria vazhdon të jetë destinacion shumë i rëndësishëm i investimeve italiane, që përveçse interesit aktual, shoqërohet me historitë e suksesit të shumë investitorëve të tjerë që kanë ardhur qoftë nga ky rajon, qoftë nga rajone të tjera të Italisë”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/