TIRANË, 13 mars 2013 – Vëllimi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, gjatë vitit 2012, u mbizotërua në masën 64.31 për qind nga transaksionet në instrumente afatshkurtra (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 35.69 për qind ishin instrumente afatgjata (obligacione), njoftoi këto ditë Autoriteti shqiptar i Mbikëqyrjes Financiare.
Për sa i takon numrit të transaksioneve, 97.47 për qind e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, u takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2012, flasin për një mbizotërim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 44.04 për qind dhe 27.71 për qind kundrejt vëllimit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë mbizotërohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 98.75 për qind të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/